Sport

Faza parakualifikuese lihet prapa nga hendbollistet

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) është ngritur në pozitën e 28-të në ranglistën evropiane, ka bërë të ditur të enjten Federata Evropiane e Hendbollit (EHF).

Dhe kjo ngritje ka ndikuar që Kosova të përfshihet në vazot për shortin kualifikues të "Euro 2020", të cilat janë përcaktuar të enjten.

Me përfshirjen në vazo, Kosova do të paraqitet për herë të parë direkt në kualifikime të rregullta dhe jo në parakualifikime sikurse deri më tash, shkruan Koha Ditore.

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka thënë se kjo ngritje ka ndodhur për shkak të rezultateve pozitive që i ka shënuar ekipi i femrave gjatë viteve të fundit.

Shorti për kualifikimet e rregullta për "Euro 2020" do të hidhet më 4 prill në Kopenhagë, kurse Kosova bën pjesë në vazon e katërt se bashku me Zvicrën, Islandën, Portugalinë, Lituaninë, Ishujt Faroe dhe fituesin e parakualifikimeve ku do të marrin pjesë Izraeli, Finlanda, Greqia e Luksemburgu. Këto katër përfaqësuese do të luajnë mes vete prej 31 majit deri më 2 qershor dhe vetëm fituesi i grupit do të vazhdojë tutje.

"Për 'Euro 2016' Kosova nuk ia ka dalë të kalojë me sukses parakualifikimet, ku ishte në grup me Finlandën e Izraelin. Për 'Euro 2018', Kosova kaloi me sukses parakualifikimet duke fituar ndaj Izraelit e Gjeorgjisë. Kështu siguroi kualifikimet e rregullta dhe ndeshjet me kombëtare elitare si Hungaria, Holanda e Bjellorusia. Për 'Euro 2020 Kosova nuk bënë pjesë në parakualifikime fare", shkruan në njoftimin e FHK-së.

Ndeshjet e raundit të parë kualifikues do të nisin më 25/26 shtator të këtij viti për të përfunduar më 31 maj të vitit 2020 pas gjashtë raundeve. Dy skuadrat e para të secilit grup do të kualifikohen për kampionatin evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm në Danimarkë e Norvegji.