Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, Kosova e para në vazon e katërt në kualifikimet për Evropian

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll më 12 tetor fillon kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Federata Evropiane e Hendbollit të martën ka publikuar vazot për shortin që tërhiqet më 31 mars nga ora 18:00.

Kosova është e para në vazon e katërt, ku bëjnë pjesë edhe Belgjika, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Italia, Gjeorgjia e Luksemburgu.

Në vazon e parë janë Norvegjia, Franca, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Portugalia, Islanda e Austria. Në vazon e dytë bëjnë pjesë Çekia, Polonia, Holanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Zvicra e Ukraina.

Pjesë e vazos së tretë janë Bosnjë-Hercegovina, Lituania, Letonia, Izraeli, Sllovakia, Turqia, Rumania e Greqia.

32 përfaqësueset do të ndahen në tetë grupe. Dy të parët e secilit grup avancojnë në Evropian, ndërsa kualifikohen edhe katër prej tetë përfaqësueseve që përfundojnë në vendet e treta nëpër grupe.

EHF-ja nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë.

Edhe Hendboll, Kosova në vazon e dytë në shortin për Botëror Sport Hendboll, Kosova në vazon e dytë në shortin për Botëror

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës kanë vlerësuar faktin se Kosova është e para në vazon e katërt për short. Për kualifikimet e Evropianit të kaluar, Kosova ishte e parafundit në vazon e katërt. Ndërsa për Euro 2018 dhe Euro 2020, Kosova nuk kishte nisur nga faza e parë kualifikuese, pra nga nivel më i ulët.

Hendbollistët e Kosovës së fundi kanë përmbyllur një cikël të pasuksesshëm kualifikues për Botëror.

“Synim është kualifikimi në Evropianin e vitit 2024”, ka shkruar FHK-ja.