Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Favalli shpjegon sfidën e tij me koronavirusin

Më 6 mars, jeta e Alessandro Favallit ndryshoi kur rezultoi pozitiv me koronavirus.

Mbrojtësi i Reggio Audaces u bë futbollisti i dytë me seli në Itali që u konfirmua me koronavirus, pas King Udohit të Pianeses, klubit të Kategorisë së Tretë të Italisë, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Italia, pas Kinës, ka numrin më të madh të rasteve me koronavirus në botë dhe po ashtu është e dyta me numrin e viktimave shkaku i virusit.

Favalli 27-vjeçar, iu bashkua Reggio Audaces në janar duke u vendosur në veri të Italisë, nga edhe e ka prejardhjen. Ai mori vendimin për të qenë më afër familjes.

Duke folur me telefon nga shtëpia e tij, Favalli flet për sëmundjen, për vështirësitë në izolim, frustrimin e tij me autoritetet e futbollit dhe shpirtin e komunitetit në Itali.

“Jam zgjuar më 2 mars dhe nuk ndjehesha mirë. Kisha temperaturë, kokëdhembje dhe djegie të syve. Kisha simptome gjatë natës, pasi isha me ethe. U bëra i dyshimtë. Kisha një grip në janar. Kështu që e telefonave familjen dhe të gjithë kishin simptome të njëjta. Kishim darkuar me familjen disa ditë më herët. Pasi koronavirusi ishte gjë e madhe në atë kohë në media dhe njerëzit ishin infektuar në zonën time, e dija menjëherë se të gjithë ishim infektuar”, ka treguar Favalli.

Për fat të mirë për Favallin, ai kurrë nuk u ndje aq keq sa disa raste tjera.

“Temperatura nuk më shkoi përtej 37.8 gradë Celsius. Pata temperaturë të tillë për tri ditë dhe në momentin kur më u bë testi, unë po ndjehesha më mirë. Kisha dhembje koke, por nuk zgjati shumë. Unë kurrë nuk isha i frikësuar për veten, kurrë nuk isha në gjendje të keqe. Isha më i shqetësuar për disa nga të afërmit e mi, që ishin më rëndë se unë, ndoshta për shkak të moshës së tyre apo gjendjes fizike”, ka treguar Favalli.

Menjëherë pasi foli me familjen e tij, ai u vetëizolua. Pasi jeton me bashkëshorten Miriam, Favalli vendosi të mbyllej në dhomë dhe ia la pjesën tjetër të apartamentit bashkëshortes. Ajo gatuante ushqimin dhe ia linte pjatën para derës.

“Miriam nuk kishte simptome. Nuk doja të dëmtoja atë. Kurrë nuk kisha probleme me apetitin tim, gjithmonë mund të haja. Nuk kisha shije, por këtë ndjenjë e dija nga gripi i zakonshëm. Prapë më duhet t’i nënshtrohem testit brenda dy ditëve, dy javë pasi dola pozitiv. Nëse dal negativ, atëherë duhet të ritestohem disa ditë më vonë për të konfirmuar këtë rezultat”, ka shtuar Favalli.

Edhe Roberto Mancini infektohet me koronavirus Sport Roberto Mancini infektohet me koronavirus

Regjimi i Favallit para sëmundjes ishte i qetë, por i këndshëm. Zgjohej në mëngjes, udhëtonte me veturë për 40 minuta nga fshati Solarolo Rainerio për në Reggio Emilia për t’u stërvitur dhe kthehej më pas. Takohej me shoqëri dhe kalonte kohë me familjen.

Por, e gjithë kjo është ndaluar tashmë.

“Izolimi është i vështirë në aspektin mental. Unë jam i mësuar me jetë më sociale. Jeton me bashkëshorten, kam familjen time dhe shoqërinë në këtë rrethinë. Stërvitem çdo ditë me bashkëlojtarët”, ka thënë Favalli, që ka kaluar kohë duke u përgatitur për studimet në shkenca sportive në universitet. “Gjëja me rëndësi është që të gjithë të kalojnë këtë, pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Gjatë javëve të fundit kam ndjerë shumë afeksion nga bashkëlojtarë e ish-bashkëlojtarë, nga shokët, trajnerët e tifozët. Njerëzit më thërrasin çdo ditë, kam marrë me mijëra mesazhe. Gjithë njerëzit janë të shqetësuar për mua dhe familjen time. Ishte me rëndësi se sa shumë njerëz kujdeseshin. Nëse duam të shohim një anë pozitive në këtë virus, atëherë është se më ka mësuar se sa të rëndësishëm janë njerëzit rreth teje”.

Ai thotë se futbolli italian është dashur të pezullohet më herët.

Disa ndeshje u pezulluan në mes të shkurtit, e më pas erdhi një vendim më 3 mars që ndeshjet në Serie A të luhen pa shikues. Por, më 10 mars u pezullua futbolli në Itali.

“Unë kam qenë i befasuar se si klubet profesioniste dhe ligat kanë dashur të vazhdojnë. Edhe ndeshjet pa shikues ishin gabim. Një lojtar ka jetë personale po ashtu, mund të infektohet jashtë fushës dhe të bartë virusin te tjerët. Por, nuk u morën gjërat shumë seriozisht. Jam i sigurt se nëse një lojtar i Serie A do të testohej pozitiv në atë kohë, atëherë do ta ndalnin menjëherë. Gjëja e vetme që ka rëndësi është të luftojmë këtë virus së bashku, të jemi të përgjegjshëm dhe të qëndrojmë në shtëpi. Shpresoj të nisim të luajmë së shpejti, por kjo është sekondare dhe është shumë e vështirë siç mund të imagjinoni”, ka deklaruar Favalli.