Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Evra konfirmon debutimin e tij në boks

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra, ka konfirmuar se do të provojë fuqinë e tij në boks muajin e ardhshëm kundër yllit të mediave sociale, Adam Saleh. Francezi 40-vjeçar, i cili ka fituar tituj me Manchester Unitedin e Juventusin, u tërhoq nga futbolli aktiv në korrik të vitit 2019. Që atëherë ai ka bërë paraqitje si analist në “Sky Sports” dhe në kanalin e tij në rrjetet sociale ku ka diskutuar për ish-klubet që ka luajtur gjatë karrierës. Mirëpo, tani, Evra do ta kthejë vëmendjen ku ringu i boksit muajin tjetër dhe do të boksojë në mbrëmjen e meçit ndërmjet Martyn Fordit dhe Sajad Gharibit, i njohur më mirë si “Hulku iranian”.

“Meçi im do të jetë më 30 prill në Londër. Kështu që kam nevojë për të gjithë familjen time britanike që të paraqitet për të më përkrahur. Besoj se do të jetë një meç i çmendur për të cilin do të jem plotësisht gati, pasi ka kohë që kam filluar të përgatitem për të debutuar në këtë sport”, ka thënë Evra.

Ish-reprezentuesi i Francës ka stërvitur më parë në ring, kurse prej vitit 2019 kur i tha lamtumirë futbollit aktiv, Evra është parë duke i goditur thasët e boksit. Megjithatë, për Evran, kjo do të jetë hera e parë që do të përballet me një kundërshtar në ring. Ai ka pranuar se është shumë i emocionuar për këtë aventurë sportive në karrierën e tij.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që do të marrë pjesë për herë të parë në jetën time në një meç boksi, sepse gjithmonë kam pasur respekt të madh për njerëzit e këtij sporti. Boksi nuk ka të bëjë vetëm me fuqinë, por edhe me strategjinë e teknikën, është si një lojë shahu”, është shprehur Evra. “Kam punuar shumë dhe stërvitjet kanë ndryshuar prej atyre që i kam bërë si futbollist. Është një mundësi e madhe për mua dhe natyrisht që dua ta shijoj deri në fund. Mbi të gjitha, dua të sigurohem që do të tregoj respekt për këtë sport kur të futem në ring”.

Për dallim prej Evras, kundërshtari i tij ka përvojë më të madhe në boks. Ylli i rrjeteve sociale, Salhet, ka një rekord prej dy fitoreve dhe një barazimi në tri meçe të zhvilluara deri më tani. Evra ka një karrierë të pasur si futbollist dhe të mbushur me trofe. Ai ka luajtur për ekipet e njohura, si Nice, Monaco, Manchester United, Juventus, Marseille e West Ham United duke regjistruar në total mbi 500 paraqitje. Po ashtu, Evra ka edhe 81 ndeshje me Francën. Ndërsa, në nivel klubesh, Evra ka fituar hiq më pak se 21 trofe, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve dhe tituj të kampionit në Premier Leaguen e Serie A. Në fakt, Evra nuk është ish-futbollisti i vetëm që do të boksojë gjatë muajit të ardhshëm. Edhe ish-mesfushori i Tottenhamit, Jamie O’Hara, do të boksojë më 2 prill kundër Kris Boystonit, por në një meç bamirësie.

Artikuj të ngjashëm