Me ndeshjen mes Përfaqësueses së Spanjës dhe Bullgarisë, zyrtarisht do të hapet “Eurobasketi 2022”. Ky edicion i këtij turneu llogaritet më i forti dhe më interesanti në histori të Eurobasketit për shkak të konkurrencës së madhe për titullin e kampionit të Evropës. Po ashtu, Eurobasketi kthehet në skenë pas pesë vjetësh shkaku i koronavirusit. Herën e fundit u mbajt në vitin 2017, kurse triumfoi Sllovenia. Dueli mes Spanjës dhe Bullgarisë i takon Grupit A dhe zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë prej orës 13:30. Në fakt, të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të luhen në kryeqytetin gjeorgjian.
Pjesë e Grupit A janë edhe Gjeorgjia, Mali i Zi, Belgjika e Turqia. Në ditën e parë të “Eurobasketit 2022” do të zhvillohen gjashtë ndeshje: tri në kuadër të Grupit A dhe tri të tjera në kuadër të Grupit B. Për dallim prej Grupit A, duelet e Grupit B do të zhvillohen në Gjermani, saktësisht në qytetin e Koelnit. Ky edicion i “Eurobasketit” do të mbahet në katër shtete sikurse ai i vitit 2015 dhe 2017.
Krahas Gjermanisë e Gjeorgjisë, ndeshjet do të luhen edhe në Milano të Italisë dhe Pragë të Çekisë. Në Itali zhvillohen duelet e Grupit C, ndërsa në Çeki ato të Grupit D. Në total marrin pjesë 24 përfaqësuese të ndara në katër grupe me nga gjashtë ekipe. Ndërkohë finalja e “Eurobasketit 2022” është e paraparë të luhet më 18 shtator në Berlin. Nga viti 1935 deri në vitin 2017, Eurobasketi është luajtur çdo dy vjet. Tash e tutje turnetë e Eurobasketit do të luhen një herë në katër vjet në kuadër të ciklit të ri katërvjeçar të FIBA-s. Pra, edicioni i këtij viti është tashmë një ngjarje historike.
“Është rast i rrallë që në ekip kemi aq shumë lojtarë që nuk kanë luajtur në Eurobasket, Botëror apo edhe Lojërat Olimpike në të njëjtën kohë. Na mungon paksa përvoja, por, në anën tjetër, kemi një ekip të uritur për sukses dhe që është gati për të shfaqur lojën më të mirë kolektive”, ka thënë përzgjedhësi i Spanjës, Sergio Scariolo.
Grupi B konsiderohet si më i forti dhe ka fituar tashmë nofkën “Grupi i vdekjes”. Kampionia në fuqi, Sllovenia, që do të jetë e udhëhequr nga superylli i NBA-së, Luka Donçiq, vlerësohet favorite e grupit, të cilin e përbëjnë edhe Franca, Gjermania, Lituania, Bosnjë-Hercegovina e Hungaria. Gjasat më të vogla i ka Hungaria, ndërsa në teori edhe Bosnjë-Hercegovina llogaritet autsajdere, por së fundmi e ka mposhtur Francën. E të njëjtën gjë e ka bërë edhe Gjermania ndaj Sllovenisë. Kështu që, të gjitha përballjet e këtij grupi do të jenë tejet interesante dhe plot adrenalinë. Në krye të Bosnjë-Hercegovinës është trajneri i Golden Eagle Yllit, Adis Beçiragiq, i cili në dy sezonet e fundit ka fituar titullin e kampionit të Kosovës me ekipin nga Suhareka.
“Medalja e artë është synimi ynë. Në këtë Eurobasket do të marrin pjesë disa prej lojtarëve më të mirë dhe përfaqësueset më të forta. Por, aty jemi edhe ne dhe besojmë në sukses”, ka insistuar Rudy Gobert i Francës.
Në Grupin C, Greqia do të mbështetet në yllin e NBA-s, Giannios Antetokounmpo, që do të jetë edhe lider i saj. Në kuadër të fazës së grupeve Greqia do të përballet me Estoninë, Ukrainën, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Kroacinë. Në krye të Kroacisë është ish-përzgjedhësi i Kosovës dhe ish-trajneri i Sigal Prishtinës, Damir Mullaomeroviq.
“Giannisi do të jetë njëri prej lojtarëve më të mirë dhe më atraktiv i turneut. Nuk po mundem as ta paramendoj përballjen që e kemi me Greqinë. Po ashtu, nuk i kam shikuar xhirimet e Giannisit, sepse po ta bëja një gjë të tillë, do të bija në depresion”, ka thënë përzgjedhësi i Italisë, Gianmarco Pozzecco.
Ndërkohë favorite e Grupit D, por edhe për të triumfuar në “Eurobasketin 2022” është Serbia, e udhëhequr nga Nikola Jokiq, i cili në dy sezonet e fundit është shpallur MVP i NBA-së. Në këtë grup është edhe Finlanda, pjesë e së cilës është Edon Maxhuni, pastaj Polonia, Çekia, Holanda e Izraeli.
Në total, 34 lojtarë të NBA-së do të paraqiten në “Eurobasketin 2022”. Më së shumti lojtarë do të ketë skuadra MIlwaukee Bucks, gjithsej 3. Gjeorgjiani Sandro Mamukelashvili dhe Giannis e Thanasis Antetokounmpo do ta përfaqësojnë Milwaukeen në këtë ngjarje. Ndërkohë dhjetë skuadra tjera të NBA-së i kanë nga dy përfaqësueses në ngjarjen e kontinentit evropian. Në fakt, ky turne do të jetë një përzierje e lojtarëve prej të gjitha ligave në mbarë botën. Përfaqësimin më të madh do ta ketë Liga ACB e Spanjës me rreth 50 lojtarë. Ndërkohë, skuadrat me përfaqësimin më të madh të lojtarëve do të jenë Real Madridi, Armani Exchange Milano, Fenerbahçe e Cedevita, që do t’i kenë nga gjashtë basketbollistë secila.
“Nuk kemi asnjë presion si kampion në fuqi dhe ne do të futemi për ta mbrojtur titullin e fituar. Do të bëjmë të pamundurën për ta arritur këtë sukses. Në fakt, në çdo turne ne futemi për ta zënë vendin e parë”, ka thënë ylli i Sllovenisë, Luka Donçiq, që është pjesë e ekipit nga NBA, Dallas Mavericks.
Grupi A: Mali i Zi, Gjeorgjia, Spanja, Bullgaria, Belgjika, Turqia.
Grupi B: Gjermania, Hungaria, Sllovenia, Lituania, BeH, Franca.
Grupi C: Greqia, Estonia, Ukraina, Britania, Italia, Kroacia.
Grupi D: Holanda, Finlanda, Polonia, Çekia, Izraeli, Serbia.