Në mes të Kosovës, në një hapësirë që ka qenë e përfshirë nga lufta, skitari dhe adhuruesi i filmave, Elias Elhardt nga Gjermania, ka zbuluar resorin e skijimit, Brezovicën.
Kështu nis përshkrimi i video-dokumentarit të Elhardtit që tashmë është i njohur për filmat e tillë. Pas suksesit që shënoi me filmin “Contraddiction”, Elhardti si adhurues i sikijimit dhe filmave ka kombinuar të dy pasionet për të eksploruar Kosovën.
Ai ka prezantuar “Narcisin”, dokumentar për Brezovicën, “qendër e skijimit ku luftërat etnike i kanë lëshuar rrugën pasionit për sportet dimërore dhe diversitetin e komunitetit”.
Për të shpjeguar rrëfimin e tij për Brezovicën dhe Kosovë, Elhardt ka biseduar me një entuziast të skijimit, Hamdiun, “që tani dëshiron të jetojë jetën e re në këtë vend special dhe ndan pasionin për sportin dimëror me gjeneratat e reja”.
Në këtë dokumentar, Hamdi Hisari shpjegon për ndjenjat se si “pret që një e ardhme të ndërtohet, nëse e kaluara peshon kaq shumë”.
Edhe
“The Track” me sfidat, pasionin, triumfin e të ardhmen e pasigurt
“Me rritjen e nacionalizmit nëpër Evropë, doja të bëja një film që eksploron se si ndarja e shteteve dhe etnive ndan komunitetet dhe se si një pasion i përbashkët për sportet dimërore mund të shërbejë si platformë për të bashkuar njerëz. Me këtë ide, kam udhëtuar drejt Ballkanit në Evropën Lindore dhe kam zbuluar këtë vend të mrekullueshëm dhe komunitetin që rrëfehet. Qendra e vogël e skijimit Brezovica në Kosovë, dikur ishte një resort i suksesshëm para se të ndahej Jugosllavia gjatë luftës së Kosovës dhe ndarjes mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës. Lufta e vazhdueshme ka bllokuar zhvillimin e këtij vendi për 20 vjet, por tani është një gjeneratë e re e të rinjve entuziastë me të kaluar të ndryshme e që bashkohen, me dëshirën për të rindërtuar këtë vend, me shpresën për të ardhme më të mirë”, ka thënë ai në një deklaratë për “worldsnowboardguide” para prezantimit të filmit, transmeton Koha.net.
Ky film tani është shfaqur në disa festivale, përfshirë atë të St.Antonit në Austri ose Banffit në Kanada, si një nga festivalet më prestigjioze të filmit për sportet dimërore. Filmi është shfaqur edhe në Munih, ndërsa është publikuar online më 8 janar në platformën “Vimeo”.