Ata janë misionarë e bartës të traditës, bashkë me trajnerin e tyre hero që kthehet në fron edhe pas dëshpërimit më të thellë. Dorëzimi nuk është opsion për ta. Infrastruktura riparohet çdo ditë, buxheti mungon, e përkundër kësaj ata arrijnë të shkëlqejnë në gara ndërkombëtare. Në filmin “The Track” të kanadezit Ryan Sidhoo në “Doku Fest” rrëfimi për Bosnjë e Hercegovinën i shkon shumë për shtati edhe Kosovës
Pista e mbetur si relikt i Lojërave Olimpike Dimërore të 1984-tës në Sarajevë është e vetmja rrugë drejt ëndrrave të shtypura të tre të rinjve boshnjakë. Në epokën e pasluftës, barrierat u shfaqën në çdo tentativë të tyre. Ata janë misionarë e bartës të traditës, bashkë me trajnerin e tyre hero që kthehet në fron edhe pas dëshpërimit më të thellë. Dorëzimi nuk është opsion për ta. Infrastruktura riparohet çdo ditë, buxheti mungon, e përkundër kësaj ata arrijnë të shkëlqejnë në gara ndërkombëtare. Në filmin “The Track” të kanadezit Ryan Sidhoo në “Doku Fest” rrëfimi i shkon shumë për shtati edhe Kosovës.
Në “Kino Lumi” në Prizren përjetimi i filmave është përherë i veçantë. Ulëset e rehatshme, e që sivjet janë shtuar si rrjedhojë e rritjes së audiencës së Festivalit, freskia e tingulli i rrjedhës së Lumit, si dhe ato të gjetheve të pemëve tek i valëvit era, bashkë me flamujt e “DokuFestit” i shtojnë efekte ngjarjes.
Aty, të dielën vonë, është shfaqur filmi 91-minutësh “The Track” (Pista) i regjisorit kanadez. Tre të rinjtë Mirza, Zlatan dhe Hamza, së bashku me trajnerin e tyre, Senadin, janë personifikimi i reziliencës në rrugën drejt të ardhmes së shkëndijës së talentit të tyre në vendin e djegur nga lufta që ende i ndien efektet. Edhe në pistën e rrëshqitjes me sajë, të shpuar nga plumbat e luftës, e edhe në shoqërinë që ende e ndien traumën.
Filmi hapet me imazhet e atmosferës së Lojërave Dimërore të përziera me ato të Rrethimit të Sarajevës. Tri dekada pas luftës, të rinjtë po e lënë vendin si pasojë e shkallës së papunësisë dhe të korrupsionit.
Gjersa tre të rinjtë i vështrojnë pamjet arkivore të Lojërave të asaj kohe, trajneri që pati marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për vendin atë kohë, i këshillon dhe u jep udhëzime.
Në rrëfimin e tij, trajneri Senad Gmanovic tregon se përkrahja për sportin në Bosnjë është e barabartë me zero.
Pos shenjave të luftës, është prezent gjithandej edhe ndikimi i vazhdueshëm politik i Serbisë e nacionalizmi është jashtëzakonisht i shprehur midis boshnjakëve, serbëve e kroatëve të ndarë brenda një shteti të përçarë të Ballkanit. Personazhet deklarojnë se përçarjet midis tyre nuk e lënë vendin të shkojë përpara.
Pista, katër dekada prej Lojërave Dimërore, është shteg për kalimtarë. Atë shpesh e mbyllin protagonistët në dokumentar, por u shteron zëri duke ua bërë të gjithëve me dije që assesi të mos kalojnë nëpër të. Rrëshqitja me sajë është sport shumë i rrezikshëm dhe shpejtësia arrin deri në 150 kilometra në orë.
Në mënyrë vullnetare kujdesen dhe e riparojnë pistën. Janë vetëm 16 të tilla në Evropë, siç bëhet e ditur në film. Çdo ditë trajneri e fikson atë. Ai është misionari i këtij sporti në vendin e tij. Për shumë vite, rituali i tij është që për secilën ditë të hedhë çimento në betonin e pistës e të merret me finesat e saj.
Narrativat e sportistëve janë tregues për dëshpërimin e tyre të thellë nga dëshirat e pafundme që barrikadohen nga kushtet infrastrukturore e financiare. Rrëfimi është emocionues në vetvete. Efektet nuk janë nevojitur.
Regjisori kanadez Ryan Sidhoo, ka thënë se pyetja më e shpeshtë që i është bërë, ka qenë se çfarë e lidh me Bosnjën. Ka treguar se si nisi krejt projekti dhe si ra në kontakt me ata që do të bëheshin protagonistë të filmit të tij dokumentar, që veçse ka rrugëtuar nëpër Festivale të rëndësishme.
“Vij nga një familje e ngushtë, e fragmentuar dhe gjithmonë kam qenë në kërkim të lidhjeve apo të diçkaje që e kam afër zemre dhe më në fund e gjeta. Në këtë regjion, në Bosnjë, njerëzit më pranuan dhe unë vazhdimisht shkoja kurdo që kisha kohë. Për 15 vjetët e fundit kam udhëtuar midis Kanadasë dhe ish-Jugosllavisë dhe një ditë derisa po ecja, këtë djem më thanë ‘dil nga pista, dil nga pista’ dhe menjëherë më erdhi një shkëndijë”, ka thënë ai derisa ka treguar se procesi i punës ka zgjatur dhjetë vjet.
“Unë i dua sportet dhe dokumentarët, janë dy pasionet e mia dhe thjesht e dija se do ta bëja këtë dokumentar dhe filloi, zgjati për dhjetë vjet si proces. Këta të rinj dhe Senadi ishin shumë të mirë”, ka thënë ai.
Ka thënë se në filmin e tij rrëfimi shkon përtej humbësve dhe fituesve.
“Te dokumentarët është gjithmonë një natyrë e papritshme. Gjërat e sportit janë të mira, por ka edhe lëshime shpesh, sepse aty janë veç fituesit dhe humbësit. Por fokusi i filmit nuk është shumë rreth këtyre të dyjave, është më shumë në personifikimin e këtyre tre të rinjve”, ka thënë ai.
Siç thuhet në film, janë 875 mijë euro që duhen për punimin e tërësishëm të pistës për rrëshqitje me sajë. Fokusi është te Mirza Nikolajev, që në pistë ushtrohet çdo ditë, avancon përherë, por infrastruktura shkon duke u vjetërsuar e mundësitë e tij duke u djegur.
I lodhur nga jeta dhe nga përpjekjet e tij, trajneri Senad Gmanovic vendos që më në fund të tërhiqet nga sporti me gjithë përpjekjet e tij të pareshtura. E bën zyrtare në njërin prej televizioneve në Bosnjë. Për dekada të tëra e mbajti gjallë sportin pa të ardhme, siç e vlerëson. Ka qenë trajner në shtatë Lojëra Olimpike me radhë.
Në vitin 2021, nuk duron assesi pa u kthyer në detyrë. Është një vit para Lojërave Olimpike të radhës, në fazën finale të kualifikimeve në Innsbruck të Austrisë.
Aty janë krejt prapaskenat e suksesit dhe dështimit, e punës së madhe për arritje e fitore. E Mirza Nikolajev del shumë i suksesshëm. Njashtu si edhe dokumentari që arrin ta përcjellë secilin emocion te publiku. I jep imazhet e qarta të paraqitjes së sportistit në lojëra. Ai e bart kamerën me vete deri te vija e “finishit” e cila e bën atë fitues. Pos audiencës në stadium, edhe publiku i filmit në Prizren e duartroket suksesin e tij të para katër vjetësh.
Nikolajev ka qenë në premierën e filmit “Pista” në Prizren. E ka konsideruar pyetje retorike atë për gjendjen e tanishme të sporteve në Bosnjë e Hercegovinë.
“Mendoj se veçse e dini përgjigjen”, ka thënë ai me humor.
“Ende nuk ka interesim për sportin nga ata që quhen si njerëz të rëndësishëm për të punuar në këtë drejtim. Ende është po aq vështirë si ishte, për t’u trajnuar, për të udhëtuar. Aktualisht po trajnohemi për sezonin e ardhshëm 2025/2026 për në Lojërat në Milano në shkurt. Kemi pasur vështirësi me financat dhe është dashur ta zgjidhim vetë, njëjtë siç e keni parë në film. Në Bosnjë ka tjera prioritete që janë më të rëndësishme se sporti dhe kjo nuk është normale, sepse jemi ambasadorë të shtetit. E përfaqësojmë në një mënyrë tjetër dhe jo për politikë, për ato që fliten tash e 30 vjet”, ka vazhduar ai.
Ka thënë se procesi i punës ka qenë krejt i natyrshëm për të.
“Nuk u ndjeva aspak çuditshëm duke më xhiruar, as i huaj që qëndron në njërën anë dhe kamera vjen kah unë. Në fakt, shumicën e kohës nuk e kam parë kamerën përreth meje dhe kryesisht gjithçka ishte e natyrshme. Është gjë e mirë që jam në film, por edhe tani që po e shoh për të dhjetën herë ndihem çuditshëm. Nuk e prisja të ishte në kaq shumë festival për një kohë kaq të shkurtër dhe ende është pak e frikshme ta ndaj historinë time në këtë formë, jetën time private dhe të miqve të mi”, është shprehur Nikolajev.
Ka treguar se për të dokumentari është emocionues sa herë e sheh.
“Edhe pse, siç thashë, e kam parë për të dhjetën herë, ende jam si gati duke qarë teksa e shoh, është e vështirë. Shumë i veçantë. Jam shumë i lumtur, prandaj po qaj, jo pse jam i mërzitur. Pasi pas rreth shtatë vjetësh xhirime, e shoh veten, trajnerin, Hamzën , Zlatan dhe të gjithë që janë të përfshirë në këtë film dhe ta ndajmë historinë tonë është diçka e mrekullueshme”, ka vazhduar ai.
Kur kthehet në Sarajevë nga Lojërat në Austri, kthehet si simbol i flakës që ishte gati të shuhej. Por që vazhdoi të digjej, siç thuhet në dokumentar. U kthye si hero.
Pas kësaj shkëndije, edhe trajneri kthehet në detyrën e mëparshme të tij. Të riparuesit të përditshëm të pistës së ëndrrave që vizioni nisi aty dhe nga ajo varet. “Pista” është në kategorinë garuese “Balkan Dox”.
Bashkëproducenti i filmit, Ervin Golubovic, ka thënë se aty gjithsesi duhej të përfshihej edhe atmosfera e Sarajevës, që shikuesi të ishte aty edhe nëse nuk e kishte vizituar kurrë më parë.
“Isha i nderuar të punoja në këtë projekt që lidhet ngushtë me qytetin tim. Kjo do të thotë se ishte sfiduese, pasi secili që do ta shihte filmin duhej ta ndiente atmosferën e qytetit edhe nëse nuk e kanë vizituar ende. Por edhe duhej të ishte shumë afër asaj çfarë po ndodhte, sepse djemtë janë pak më të rinj se unë dhe duhej të ndërlidhej me atë se nëpër çfarë po kalojnë, çfarë ndiejnë dhe çfarë duhej të shfaqej. Kjo është qasja me filmin”, ka thënë ai.
Është rrëfim për triumfin ndaj sfidave politike. I fitores së ëndrrave dhe i reziliencës për të bërë, krijuar magji në rrethana të jashtëzakonshme. Siç ngjan edhe në shumë fusha në Kosovë, veçmas në art e kulturë.