Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ëndrrat e mëdha të futbollistëve të vegjël

Me lot gëzimi dhe zhgënjimi ka përfunduar turneu i filloristëve dhe filloristeve të rrethinës së Kaçanikut. 250 nxënësit nuk i ndali dëbora e parë e këtij viti të shtunën e javës së kaluar kur ata u mblodhën në tetë të mëngjesit nën qiell të hapur te stadiumi i qytetit “Besnik Begunca”afër fshatit bjeshkor, Stagovë. Jo fort larg qytezës jugore.

Njomakët mendjen e kishin te trofetë që do të ndaheshin për fituesit në fund të turneut. Megjithatë organizatorët dhe shkollat e qytetit dhe të fshatrave vendosën që garat e dy kategorive në futboll të zhvilloheshin në një fushë të mbuluar me najlon në qytet. Aty filloristët menjëherë kanë nisur t’i veshin fanellat, pavarësisht thirrjeve të organizatorëve dhe mësimdhënësve që të mos nguteshin derisa të përcaktoheshin rivalët dhe oraret e ndeshjeve, shkruan “Koha Ditore”.

Misioni i turneut

“Fair play me qenë në rend të parë, kemi ardhur me u kënaq, nuk kemi ardhur me u shty, kemi ardhur me u argëtu dhe normalisht se do të keni edhe rezultate”, u është drejtuar filloristëve Visar Peja, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, CCPA Kosova.

11 ekipe të djemve dhe 9 të vajzave kanë qenë pjesë e turneut të dytë të organizuar sivjet në Kaçanik, në kuadër të programit BRICK (“Building Resilience in Individuals and Communities in Kosovo”), i krijuar nga organizata CDF, zbatuar nga organizatat “Integra”, CCPA Kosova, ICK dhe instituti “Columbus”.

Edhe Ëndrrat e mëdha të futbollistëve të vegjël Sport Ëndrrat e mëdha të futbollistëve të vegjël

“Më së shumti jam krenare që në këtë turne kemi nëntë ekipe të vajzave”, ka deklaruar Nermin Mahmuti, drejtoreshë ekzekutive e CDF-së, derisa po shikonte njërën prej ndeshjeve të zhvilluara ndërmjet ekipeve në kategorinë e femrave. U ka dhënë zemër fëmijë edhe gjatë adresimit para ekipeve shkollore të rreshtuara në fushën e blertë.

Ndryshe prej turneut të parë të muajit maj kur kishin garuar vetëm tri shkolla me ekipe femrash, në turneun e vjeshtës është trefishuar numri i ekipeve femërore.

“Ne shpresojmë që fëmijët të kenë qëndrueshmëri dhe asgjë nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të kishte qëndrueshmëri”, ka thënë Mahmuti, duke treguar se turneu i tretë do të organizohet në pranverë. “Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen t’i mbështesim fëmijët që të kenë vazhdimësi me ndihmën e donatorëve. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i mbështesim fëmijët nëpër komuna”.

Në kuadër të programit BRICK në Kaçanik janë dhënë më parë koncerte e shfaqje teatrale me nxënësit e shkollave të mesme. E shtuna e javës së kaluar është rezervuar për të vënë në pah talentet e reja në fushën e sportit në mesin e filloristëve e futbollisteve.

“Po ia marrim vajzën në Përfaqësuese”

“Po ia marrim vajzën në reprezentacion”, i është drejtuar Veton Çitaku - ndihmës i trajneres së përfaqësueses së femrave të Kosovës, Afërdita Fazliu, e cila ia ka përcjellë krejt turneun – babait të Albulena Gurit të shkollës së fshatit Biqec “Jusuf Gërvalla”.

Pas shënimit të golit në finalen e fituar 1 me 0 kundër ekipit të shkollës së Dubravës, Guri ka vrapuar te babai, që e ka hedhur përpjetë nga gëzimi. “Futbolli do adrenalinë”, thekson Sadat Bunjaku, mësimdhënës i edukatës fizike i Gurit. Bunjakun nuk e ka zënë vendi vend anash vijës anësore gjatë kohës kur ekipet e shkollës së tij zhvillonin ndeshjet.

Shkolla e Bunjakut ka fituar finalet në dy kategoritë. Por vëmendjen e të pranishmëve e ka rrokur Guri. “Bulja, Bulja”, janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet e shoqeve e shokëve të klasës kur Guri ekektrizonte atmosferën me driblimet e bukura. Spektakolare ishin edhe golat e saj.

Pos trofeut ekipor Guri ka marrë me vete edhe një kupë dhe një top si lojtarja më e mirë e turneut. Rol kritik në suksesin e shkollës së Gurit ka pasur edhe portierja Xheneta Hashani me pritjet e shumta. Hashani është pjesë e Përfaqësueses U16 të Kosovës.

Edhe CDF-ja me projekt për zhvillimin e komuniteteve, Kaçaniku pikënisje Sport CDF-ja me projekt për zhvillimin e komuniteteve, Kaçaniku pikënisje

{gallery}

Fazliu, trajnerja e Përfaqësueses, u ka premtuar futbollisteve të njoma kaçanikase se do ta çojë Kosovën në të ardhmen që ta luajë një ndeshje në “Besnik Begunca” për t’i frymëzuar filloristet që të ndjekin ëndrrën e tyre.

“Unë dua të arrij diçka”, ka thënë Gresa Berisha, e cila ka humbur në gjysmëfinale me shkollën “Emin Duraku”. Ajo shënoi gola nga 25 metra, duke u rënë në sy edhe trajnerëve të Kosovës me lëvizjet dhe lojën e saj. Me ekipin në disavantazh, Berisha shtathedhur ka nisur të qante gjatë ndeshjes së humbur në gjysmëfinalen e parë. Nuk kishte mbështetjen e mjaftueshme të shoqeve për të përmbysur rezultatin. Pak pa i rënë bilbilit mësimdhënësi refer, Fitim Selmani, Berisha është lënduar. Mjeku kujdestar ka konfirmuar se nuk kishte pësuar ndonjë lëndim serioz.

Lotët e portierit të zhgënjyer

Pesë gola i ka shënuar Kaltrina Malësiu, por shkolla e Dubravës përfundoi e dyta. Kushëriri dhe shoku i klasës, Fazli Malësiu, nuk i ka ndalur lotët edhe njëzet minuta pas përfundimit të ndeshjes çerekfinale. Ka bërë disa pritje spektakolare penaltish. Por nuk i kanë bërë punë, për shkak se katër shokë i dështuan nga pika e bardhë. Malësiu nuk ka arritur të marrë veten e të flasë për zhgënjimin e tij. “Fazlia, Fazlia”, janë munduar shokët e shoqet në kor t’i jepnin zemër.

Të zhgënjyer janë ndarë edhe nxënësit e shkollës së Kotlinës, Fitim Selmani dhe Leon e Leutrim Loku. Megjithatë kanë prekur gjysmëfinalen. Ëndërrojnë që një ditë të luajnë në ndonjë ekip të madh evropian. Por ndryshe prej shumicës së djemve të ndarë në dy grupe, si adhurues të Ronaldos së Juventusit dhe Messit të Barcelonës, filloristet Guri e Berisha kanë model ish-yllin e Real Madridit për shkak të natyrës së tij vetëmohuese. Edhe ekipet më të preferuara të tyre janë të lidhura me transferimet e tij. Kudo ku luan fituesi i pesëfishtë i “Topit të artë”, ai ekip adhurohet prej tyre.

Zahir Hoda, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kaçanikut, është ndarë fort i kënaqur me programin BRICK. “Ende pa përfunduar programi, jam shumë i kënaqur me të gjitha organizimet e CDF-së, sepse pa u bërë një vit ka pasur koncerte, drama e turne. Ka qenë organizim shumë serioz. Kanë organizuar qind për qind gjithçka që e kemi në marrëveshje”, ka thënë Hoda. “Komuna do të jetë përherë në përkrahje të tyre, sepse ka efekt shumë pozitiv për argëtimin dhe shoqërimin e nxënësve”, ka shtuar ai.

Shyhrete Livoreka, mësimdhënëse e edukatës fizike në shkollën e Ivajës dhe të Strazhës, “Dituria”, ka thënë se i ka sjellë me qejf nxënësit dhe nxënëset në turne.

Edhe Vajzat e vogla në turne futbolli të organizuar nga FFK-ja SOT Vajzat e vogla në turne futbolli të organizuar nga FFK-ja

“Përndryshe, ky është projekti që ka mbledhur më së shumti nxënës dhe karakteristika është që i ka mbledhur edhe femrat”, ka thënë mësimdhënësja nga fshati malor i Ivajës, aty prej nga vjen Përparim Livoreka, kampioni aktual i Kosovës me Dritën e Gjilanit./Rexhep Maloku

*Artikulli i sponsorizuar