Për Erin Demollin, Rrezon Ademin, Erion Krasniqin dhe Diell Tahirin është vetëm fillimi i rrugëtimit në futboll. Ata janë në fazën kur vështirë e bëjnë ndarjen mes futbollit si lojë që i argëton dhe futbollit si sport ku synojnë karrierë.
Gjithsesi ëndrrat e tyre të lidhura me futbollin janë të mëdha.
Synimi i Erinit, Rrezonit, Erionit, Diellit dhe shumë moshatarëve të tyre është që një ditë të bëjnë karrierë në klube të ndryshme të Evropës.
Lojtarët e rinj të shkollës së futbollit “Kurda” përmendin klube të ndryshme ku ëndërrojnë të luajnë në të ardhmen. Por, ëndrra më e madhe e lojtarëve të gjeneratës së Pavarësisë është që një ditë ta përfaqësojnë vendin e tyre – Kosovën.
Erini, Rrezoni, Erioni dhe Dielli janë katër prej shumë futbollistëve të gjeneratës së vitit 2008, që kanë ëndrra të mëdha. Gjenerata e vitit 2008 vlerësohet paksa e veçantë. Është viti kur Kosova shpalli Pavarësinë.
Kosova po e feston 15-vjetorin e Pavarësisë, kurse ditëlindjen e 15-të e festojnë edhe këta lojtarë.
Erini tashmë ka përjetuar ndjesinë e veshjes së fanellës së Kosovës. Dhe ai nuk dëshiron të ndalet me kaq. Pas paraqitjeve me Kosovën U15, synimi tij është që ta bartë edhe fanellën e Përfaqësueses A.
“Kur e vesh fanellën e Kosovës të jep një ndjesi tjetër, një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë”, ka thënë Demolli.
Ai e di që paraqitja në Përfaqësuesen A nuk do të jetë e lehtë.
“Sigurisht që është gëzim i madh ta përfaqësosh Kosovën. Me punë dhe vullnet shpresoj që të arrij të luaj edhe për Përfaqësuesen A të Kosovës”, është shprehur tutje Demolli.
Demolli dhe moshatarët e tij zhvilluan të mërkurën një stërvitje të zakonshme. Angazhimi i tyre nuk mungonte.
Edhe Rrezon Ademi thotë se nuk mund të përshkruhet me fjalë ndjenja që ta jep fanella e Kosovës.
“Të luash për Kosovën është një ndjenjë që nuk shpjegohet me fjalë. Është një emocion që ua dëshiroj të gjithëve ta përjetojnë, pasi emocionet dhe ndjenjat të luash për Kosovën janë të mëdha. Ëndrra ime është që një ditë të luaj edhe për Përfaqësuesen A të Kosovës”, është shprehur Ademi.
Ai ishte ndër më të dalluarit në turneun zhvillimor të UEFA-s në Shkup, në muajin shtator të vitit të kaluar. Pjesë e atij grumbullimi ishte edhe Erion Krasniqi.
Krasniqi thotë se ka qenë një moment i jashtëzakonshëm në nismë të karrierës.
“Kam pasur shumë dëshirë të luaj për Kosovën, për shtetin tim”, ka deklaruar ai.
Shpresë se një ditë do ta përfaqësojë Kosovën ka edhe Diell Tahiri.
“Është një ëndërr që dëshiroj ta bëj realitet, sigurisht gjithnjë duke u bazuar në punë. Dua një ditë të luaj për Kosovën. Besoj se do të mbërrij një ditë të luaj, sepse besoj te vetja ime”, ka thënë Tahiri.
Shkolla e futbollit “Kurda” vlerësohet ndër më të suksesshmet. Prej shkollës së udhëhequr nga Mehmet Kurda ka dalë edhe Milot Rashica. Rashica është lojtar i rëndësishëm Kosovës, ndërsa aktualisht luan për Galatasarayn në Turqi.
Mehmet Kurda, që ka pasur karrierë të vlerësuar në Kosovë, thotë se gjenerata e vitit të Pavarësisë premton shumë.
“Është një gjeneratë ku kemi bërë një seleksionim. Kemi mbajtur vetëm 15 futbollistë së bashku me portierët. Kemi përzgjedhur lojtarë që na kanë dhënë dhe vazhdojnë të na japin sinjale për një të ardhme të mirë dhe shpresoj se nga kjo gjeneratë do të nxjerrim futbollistë të mirë”, ka thënë Kurda.
“Kurda” është një prej shumë shkollave të futbollit që merr pjesë në kampionatin për gjeneratën e lindur në vitin 2008. Vjet kampion i gjeneratës së Pavarësisë ishte Ramiz Sadiku.