Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ëndrra e 15-vjeçares Gauff vazhdon, eliminon edhe kampionen Osaka

Foto: Getty Images

Coco Gauff po luan sikur të mos jetë 15-vjeçare e as e ranguar në pozitën e 67-të të ranglistës botërore. Gauff të premten shënoi fitoren më të madhe në karrierën e saj, pasi eliminoi kampionen në fuqi të “Australian Open”, japonezen Naomi Osaka, në kuadër të raundit të tretë. Brenda 67 minutave lojë, Gauff arriti fitoren në “Rod Laver Arena” me 2:0 në sete (6-3 dhe 6-4).

Për Gauffin, kjo ishte befasia e dytë e madhe në këtë edicion të “Australian Open”. Para Osakas, eliminoi edhe Venus Willaimsin që ka shtatë tituj kampioni në turne Grand Slam, shkruan sot Koha Ditore.

“Mendoj se kam luajtur shumë mirë, pasi isha shumë e qetë gjatë tërë meçit. Është një fitore shumë e madhe për mua, ndoshta më e madhja në karrierën time dhe për këtë jam shumë e lumtur dhe krenare”, tha Gauff.

Në fakt, Gauff iu hakmor Osakas, e cila vitin e shkuar e pati eliminuar në “U.S. Open”, duke e mposhtur me 2:0 në sete (6-3 dhe 6-0). Por, të premten, tenistja e re amerikane ishte shumë më agresive dhe më e sigurt në lojën e saj.

“Mendoj se vitin e shkuar nuk isha e përgatitur mirë për Osakan, e cila luan më shpejt se çdo lojtare tjetër. Këtë herë isha e gatshme dhe dëshmova se po kënaqem duke luajtur. Kjo fitore është qershia mbi tortë dhe shpresoj të vazhdoj me këtë formë”, porositi Gauff.

(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)