I tha me vetëbesim fjalët që shumë lehtë kishin mundur të dilnin nga goja e yllit portugez Cristiano Ronaldo.
“Të gjithëve u kam thënë se jam shumë i qetë dhe i ftohtë”, tha Anthony Elanga, i cili duket të jetë ylli i ri i fundit i Manchester Unitedit. “Unë thjesht dua ta udhëheq ekipin sikur jam lojtari më i mirë në fushë. Ta bëj mbrojtësin të më frikësohet”.
Elanga sapo kishte bërë prekjen më të fundit në edicionin e tij të suksesshëm te Unitedi – një gol në barazimin 1:1 ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve - dhe pak çaste më vonë ai do të vlerësohej nga trajneri si një “model”.
“Do të doja që disa lojtarë të tjerë ta merrnin atë si shembull”, tha trajneri i Unitedit, Ralf Rangnick.
Gjermani Rangnick foli për rritjen e Elangas si lojtar dhe tha se është shumë e rëndësishme për ekipin anglez që në gjirin e vet ta ketë një yll të së ardhmes.
Edhe
Si u bë Haalandi superyll i futbollit?
Elanga është një suedez 19-vjeçar që luan si dikush që ka një përvojë të madhe në futbollin e nivelit elitar. Në fakt, ai pothuajse është yll. Rrugëtimi i Elangas deri kur doli në skenë të mërkurën mbrëma në stadiumin “Wanda Metropolitano” është i jashtëzakonshëm. Elanga në moshën 11-vjeçare u largua nga qyteti jugor i Suedisë, Malso, me nënën dhe motrat e tij për t’u transferuar në Manchester, në vitin 2013. Më pak se nëntë vjet më vonë ai luajti me ekipin e parë të njërit prej klubeve më të mëdha në botë dhe atë përkrah Ronaldos, lojtarit që e ka fituar pesë herë “Topin e Artë”.
Ai u inkuadrua në minutën e 75-të në vend të Marcus Rashfordit dhe kontaktin e parë me top e shndërroi në gol. Ky gol erdhi vetëm pas pesë minutave dhe ia siguroi Unitedit barazimin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Me paraqitjen që e pati ndaj Atleticos për aq minuta sa ishte në fushë, Elanga tani seriozisht po ia kërcënon vendin e titullarit reprezentuesit të Anglisë, Rashfordit. Këto janë momente që ndoshta Elanga ende nuk po i beson, por pas ndeshjes ai ishte i buzëqeshur dhe pa asnjë presion mbi supet e tij.
“Ai po luan sikur ëndrra e tij është bërë realitet. Është vetëm gëzim dhe argëtim ta shikosh atë duke luajtur”, u shpreh Rangnick.
Ky përshkrim do të tingëllojë i njohur për Ian Forderin. Ishte Forder ai që drejtonte ekipin U13 të Hattersley FC, një klub jashtë Manchesterit, kur hasi në Elangan, i cili sapo kishte ardhur në Angli dhe po kërkonte një vend për të luajtur. Babai i Elangas, Josephi, luajti mbrojtës i krahut të majtë për Kamerunin dhe ishte pjesë e ekipit në Kampionatin Botëror të vitit 1998.
Forder u impresionua menjëherë me fëmijën.
Edhe
Ruedigeri “fantastik” e mban Haalandin të heshtur në Bernabeu
“Pas dhjetë minutash të seancës së tij të parë stërvitore, unë munda të shihja cilësinë që zotëronte Anthony dhe e gjeta veten duke ia dhënë formularët e nënshkrimit Daniellas, nënës së tij”, kujtoi Forder.
“Ai është një i ri aq i talentuar dhe me sjellje të mirë, saqë pata kënaqësinë të stërvitja”.
Në edicionin e parë të Elangas në Hattersley, ai shënoi 14 gola. Shënoi 27 gola të tjerë në vetëm 14 ndeshje në edicionin vijues dhe ishte lojtari i vitit i ekipit. Ai u rekomandua te Unitedi nga babai i një djali që luajti së bashku me Elangan dhe përfundoi duke nënshkruar një kontratë me klubin e Premier Leagues, duke pasur gjithashtu një provë në Manchester City.
Elanga është ende në kontakt me djemtë e Hattersleyt dhe shpresohet që ai të shpërndajë çmimet e klubit në fund të edicionit. Kjo nëse ai nuk është shumë i zënë me Unitedin. Në fund të fundit ai tani është një anëtar kyç i Unitedit, shpesh startues përpara lojtarëve të Anglisë, Rashford dhe Jesse Lingard. Ajo që bie në sy është shkalla e tij e punës, lëvizja dhe syri për të shënuar. Vetëm në pesë ditët e fundit ai ka shënuar gola kundër Leedsit, një nga rivalët më të mëdhenj të Unitedit, dhe ndaj Atleticos në skenën më të madhe në futbollin evropian.
“Ai luan pa frikë”, tha ish-mbrojtësi i United, Rio Ferdinand, tani në rolin e tij si ekspert televiziv për “BT Sport”. "Gjithçka që ai dëshiron të bëjë është të lërë përshtypje. Ai është i përkushtuar të dalë atje dhe ta vendosë emrin e tij në semaforin e ndeshjes. Ka një ndershmëri në lojën e tij, atë ndershmëri të papërpunuar që ju pëlqen të shihni kur shikoni një lojtar të ri që hyn në ekip. Ajo gatishmëri për të vrapuar për topa që të tjerët mund t'i konsiderojnë topa të vdekur. Ai i provon gjërat pa frikën se mos kritikohet”.
Edhe
Unitedi mbështetet te Rashfordi për derbin e Manchesterit
Ferdinand tha se disa ish-lojtarë të Unitedit, Danny Welbeck dhe Tom Cleverley, kishin një etikë të ngjashme pune që i bëri ata të vlerësoheshin nga tifozët e klubit. Mbështetësit kanë krijuar tashmë një këngë për Elangan, me këngën “Rhythm Is A Dancer”.
Elanga ka të drejtë të luajë për Anglinë, por tashmë ka përfaqësuar ekipet e të rinjve të Suedisë në nivelet U17, U19 e U21. Për të duket e gatshme një karrierë e gjatë me ekipin A. Me këtë ritëm Elanga do të stabilizohet edhe në ekipin e Manchester Unitedit sikur një yll.