Tri skuadra të kategorisë së dytë të Anglisë (Championship) kanë shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit kosovar, Florian Kamberi, i cili është pjesë e ekipit elitar të Skocisë, Hibernian.
Mediumet skoceze kanë njoftuar të martën se Hiberniani tashmë është kontaktuar nga Brentfordi, Swansea e Middlesbrough, ekipe që janë të gatshme të ofrojnë dëmshpërblim deri në tre milionë euro për transferimin e Kamberit, transmeton “Koha Ditore”.
Të tria ekipet e shohin Kamberin si përforcim të rëndësishëm për edicionin e ri, pasi po synojnë të luftojnë për inkuadrim në Premier League.
Sulmuesi 24-vjeçar ka kontratë me Hibernianin deri në vitin 2021, kurse pjesë e këtij ekipi është prej vitit 2018.
Edicionin e shkuar, Kamberi shënoi 13 gola dhe asistoi tetë në 43 paraqitje për Hibernianin në të gjitha garat. Karrierë ka bërë edhe te Grasshoppersi e Karlsruheri.