Mesfushori Albert Ejupi i është bashkuar skuadrës së Hartbergut në elitën e futbollit austriak.
Pjesë e këtij klubi është edhe futbollisti i Kosovës, Donis Avdijaj.
Ejupi ka qenë pjesë e skuadrës Helsingborgs dhe ka qenë titullar në 10-të ndeshje këtë sezon në “Allsvenskan” të Suedisë, përveç njërës pasi ishte i suspenduar.
Pas tre muajsh, ai largohet nga Suedia drejt Austrisë.
“Dua ta falënderoj skuadrën e Helsingborgsit për këtë kohë të shkurtër që e patëm dhe të gjithë tifozët që na kanë përkrahur. Ndihem keq që largohem nga klubi por e doja këtë shans dhe e shfrytëzova. Dua ta falënderoj edhe Andreas Granqvistin që ka bërë punë fantastike, bashkëlojtarët dhe të gjithë zyrtarët”, ka thënë Ejupi, shkruan të premten faqja zyrtare e klubit suedez.