Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Efekti që për kosovarët në Zvicër kishte festa me shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit

Festimi i Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në Botërorin 2018 në Rusi kishte bërë bujë nëpër botë.

Xhaka e Shaqiri pasi realizuan gola në ndeshjen kundër Serbisë formuan me duart e tyre shqiponjën dykrerëshe, simbolin e flamurit shqiptar.

Para ndeshjes kishte pasur provokime të ndryshme, por asnjëri nuk ishte më i keq se ai i ministrit të Jashtëm të atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Daçiqi kishte bërë pyetje nëse “Serbia po luan kundër Zvicrës, Shqipërisë apo Prishtinës”.

Gjatë ndeshjes dëgjoheshin thirrje të ekstremistëve serbë “vrisni shqiptarin”.

Pas ndeshjes në Zvicër, në vende të ndryshme, pati përplasje të dhunshme mes grupeve rivale.

Edhe Shqiponja e Xhakës sërish bëhet temë në Zvicër Futboll Shqiponja e Xhakës sërish bëhet temë në Zvicër

Për fitoren u fol dukshëm më pak sesa për simbolikën. Veprimi nxiti diskutime që shkonin përtej futbollit: polarizimi dhe përjashtimi, nacionalizmi dhe besnikëria e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë. “Doppeladler” (shqiponja dykrerëshe) ishte shpallur fjala e vitit 2018.

12 mijë aplikime

Por, cilat ishin pasojat e shqiponjës dykrerëshe për kosovarët në Zvicër? A u diskriminuan ata më tepër pas kësaj? Pikërisht kjo ishte temë e një studimi të publikuar në “European Journal of Political Research”. Autorët Daniel Auer dhe Didier Ruedin dolën me një përfundim mahnitës: shqiponja dykrerëshe u solli dobi kosovarëve në Zvicër. Diskriminimi ra. Për këtë ka raportuar të premten “Aargauer Zeitung”.

Për të matur këtë, studiuesit dërguan pothuajse 12 mijë aplikime fiktive për banesë të lirë. Ata dërguan dy aplikacione identike për shpallje, por me një përjashtim: njëri përmbante një emër zviceran, tjetri një kosovar. Eksperimenti u krye në periudhën mars-shtator të vitit 2018, pikërisht në atë periudhë kur u zhvillua loja, në qershor të vitit 2018.

Festimi kishte ndihmuar në uljen e diskriminimit

Pas tre muajve të parë, rezultati ishte i qartë: 78.8 për qind e zviceranëve morën ftesën për të parë banesën. Te kosovarët ishte 72.2 për qind. Më pas erdhën veprimet e Xhakës dhe Shaqirit.

“Fillimisht mendova: Kaq ishte eksperimenti ynë, pasi i ashtuquajturi ‘ndërhyrës’, pra një ndikim nga jashtë, mund të jetë tepër i madh”, thotë Auer për “Aargauer Zeitung”. “Por në retrospektivë, shqiponja dykrerëshe ishte një fat”.

Edhe Shaqiri flet për provokimet e serbëve dhe festën me shqiponjë Futboll Shaqiri flet për provokimet e serbëve dhe festën me shqiponjë

Sepse atëherë numrat u rregulluan papritmas. Pas kësaj zviceranët ende morën më tepër përgjigje pozitive. Megjithatë raporti ishte dukshëm më i balancuar, 70.5 për qind kundrejt 69.1 për qind.

“Kam menduar se diskriminimi do të rritej”

Shkencëtarët janë befasuar nga rezultatet.

“Unë do të kisha menduar se diskriminimi do të mund të rritej. Me sa duket, debatet rreth kësaj loje kanë çuar në një ndjenjë bashkimi. Ndjenja për të dalë së bashku për flamurin zviceran, siç bëjnë Shaqiri, Xhaka, Lichtsteiner dhe gjithë ekipi, është bartur në jetën e përditshme”, thotë Auer.

Ai bën një llogari duke thënë se lojtarët në mënyrë të drejtpërdrejtë janë përkujdesur që “disavantazhi i diasporës së tyre në Zvicër të zvogëlohet”.

Megjithatë është e paqartë se sa i qëndrueshëm është “efekti i shqiponjës dykrerëshe”.

Për këtë do të duhej të përsëritej eksperimenti, thotë politologu.

Edhe Në Zvicër janë lodhur me temën e shqiponjës dykrerëshe Sport Në Zvicër janë lodhur me temën e shqiponjës dykrerëshe

“Nuk do të ishte çudi nëse dallimi është rritur pak ndërkohë. Sepse shqiponja dykrerëshe është një rast konkret, një gjest i vetëm e jo një zhvillim shumëvjeçar”, thotë Auer.

Se si është zhvilluar marrëdhënia do të kuptohet edhe diku tjetër pas disa muajve. Më 2 dhjetor Zvicra dhe Serbia do të takohen sërish në Kupën e Botës, kësaj radhe në Katar. Aty duhet të jenë edhe Xhaka e Shaqiri.