Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Edy Reja: Dallimi ishte në aspektin fizik

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja ka thënë se dallimi më i madh me Anglinë ishte në aspektin fizik. Anglia ka fituar 5:0 ndaj Shqipërisë, të premten mbrëma.

“Po flasim për kundërshtar shumë të fortë, që kur niset në sulm mund të bëjë shumë dëm. Anglia nisi shumë mirë, ishte shumë skuadër fizike. Nuk arritëm ta përballojmë në fillim të ndeshjes. Kur ke përballë Anglinë me këtë formë, ke pak për të bërë. Në aspektin fizik kishte diferenca të rëndësishme. E dominuan plotësisht pjesën e parë. Kur niseshin në kundërsulm ishin të pandalshëm dhe kjo na vuri në vështirësi”, ka thënë Reja. “Në këto nivele ngarkesa fizike bëhet shumë vështirë për t’u përmbajtur. Doja që skuadra të rrinte në mesfushë, ta mbante topin, por ishte shumë e vështirë. Ishte shumë e vështirë ta ndalim Anglinë sonte”, ka shtuar tekniku italian.

Sipas tij, Anglia me një paraqitje si kjo do ta mposhtte secilin kundërshtar.

Reja ka thënë se ndryshimet e detyruara kanë ndikuar, pasi ka qenë i kufizuar. Ai ngul këmbë se humbja nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë, pasi Anglia ishte në nivelin më të lartë të mundshëm.