Sport

Edicioni i kompletuar i KV Peja

Me shumë peshë dhe shumë të rëndësishëm e kanë vlerësuar titullin e kampionit të Kosovës në volejboll në klubin Peja. Thonë se triumfi në kampionat është arritur me meritë duke dominuar plotësisht këtë edicion.

Trajneri i Pejës, Qazim Kelmendi, thotë se seria prej 19 ndeshjeve pa humbje është dëshmi që volejbollistët e tij kanë treguar paraqitje të madhe këtë edicion.

Peja të shtunën e fitoi edhe ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit të Superligës së volejbollistëve, ndërsa javë më parë skuadra pejane triumfoi edhe në Kupë. Titullin për herë të fundit Peja e kishte fituar në vitin 2018. Në finale të plejofit, Peja e mposhti Dritën e Gjilanit.

Trajneri Kelmendi insiston se ekipi tij ka qenë dominues në shumë aspekte këtë edicion, ndërsa thotë se do të mundohen ta shtrijnë dominimin edhe në ndeshjet e tjera, përkatësisht në edicionin e ardhshëm.

“Ka qenë e pritshme që do të arrijmë ta fitojmë titullin. Këtë sukses ia dedikojmë lojtarit tonë Leonard Dodaj që me lot në faqe e ka pritur këtë fitore. Ai nuk pati mundësi të luaj shkaku i lëndimit, por ishte motivues për lojtarët tjerë. Tani jemi të kompletuar, sepse djemtë tanë fituan edhe Kupën javë më parë. Po flas me plot gojë, pa nënçmuar asnjë ekip, kemi dominuar secilën skuadër, pra duke e mposhtur me nga 3, 4 apo 5 herë. Jemi 19 ndeshje pa humbje. Kemi pësuar vetëm ndeshjen e parë, që mendoj se ishte humbje aksidentale, pastaj filluam serinë e fitoreve deri në fund”, ka thënë Kelmendi të dielën për KOHËN.

Kelmendi thotë se njëjtë i ka ngjarë edhe në të kaluarën.

“Sa herë që kam fituar titullin e kam humbur ndeshjen e parë. Edhe kësaj radhë kështu ishte, por nuk pajtohem me humbjen e pësuar, sepse e di që lojtarët i kanë nënvlerësuar”, është shprehur trajneri pejan.

Peja me suksesin e këtij edicioni duke fituar titullin dhe Kupën, ka siguruar edhe pjesëmarrjen në garat evropiane. Por, trajneri Kelmendi nuk e di se në cilën garë do të paraqitet Peja.

“Besoj se do t’i ruajmë lojtarët vendorë dhe pastaj do ta shqyrtojmë me kryesinë se në cilën garë do ta kishim për shtati të merrnim pjesë. Do ta diskutojmë, sepse ka shpenzime shumë. Duhet të angazhohemi shumë për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare të cilat janë shpenzuese. Do ta presim kryesinë për të parë se sa janë të gatshëm të shpenzojnë”, ka thënë Kelmendi.

I lumtur për titullin dhe Kupën e Kosovës është shprehur edhe njëri ndër volejbollistët më të mirë në vend, Adriatik Kajtazi. Kajtazi thotë se ky edicion ka qenë më atraktiv.

“Kemi filluar prej pozitës së pestë duke marrë gradualisht ritmin dhe kemi arritur të përmirësojmë gabimet. I kemi fituar 19 ndeshje rresht që mbase mund të jetë edhe rekord. Për klub mendoj se ka qenë seria më e mirë. Kjo seri është arritur në këtë edicion ku ka pasur katër skuadra të forta dhe me kualitet. Ka qenë një shpërndarje interesante, por vendosmëria jonë dhe organizimi në klub kanë dalë të frytshëm. Për mendimin tim konkurrentë për titull kanë qenë klubet e tjera, por në momentet vendimtare ne kemi treguar nivelin e lojës. Gjithë mundi dhe puna në fund na u shpërblye me titull dhe Kupë të fituar. Kemi pasur këtë sezon një skuadër të përzier me lojtarë me përvojë dhe të rinj që ka dalë të jetë kombinim i suksesshëm”, ka thënë Kajtazi.

Te volejbollistet, titullin e kishte fituar Drita, ndërsa Kupën e Kosovës skuadra prishtinase M-Technologie.