Me një vlerësim pak më të drejt të gjyqtarëve, Distria Krasniqi do të paraqitej të premten në finale të Kampionatit Botëror të xhudos që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. 26-vjeçarja nga Peja nuk ishte pjesë e luftës përfundimtare në kategorinë deri 52 kilogramë, por zuri vendin e saj, tashmë të zakonshëm, në podium. Ajo e mbylli garimin në Botëror me medalje të bronztë.
Është kjo një tjetër medalje me shumë vlerë e shkëlqim në karrierën e mahnitshme të Distrisë. Ajo vazhdon të paraqitet në nivel të lartë, ndonëse ka ndryshuar kategorinë pas Lojërave Olimpike. Në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” preku kulmin duke fituar të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo tashmë ka dy medalje të bronzta botërore dhe katër medalje evropiane, prej tyre një të artë. Ka edhe tri të arta në Masters e shumë të tjera në Grand Slam, Grand Prix e garat e tjera.
Distria ishte bartësja e gjashtë në Botëror në kategorinë ku në vitet e fundit po dominon plotësisht japonezja Uta Abe.
Ishte pjesë e grupit C që u vlerësua shumë i fortë. Në fund doli fituese e tij. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti lehtë e shpejtë xhudisten nga Taipei Kinez, Lin Hsuan Hsu. Në rundin e tretë përballë e kishte italianen e suksesshme, Odette Giuffrida. Italiania me dy medalje olimpike dhe titull evropian, mori tri dënime, duke shmangur vazhdimisht luftën me Distrinë. Dhe kështu xhudistja kosovare fitoi me Ippon.
Mongolezja Khorloodoi Bishrelt fitoi pjesën tjetër të grupit dhe ishte kundërshtare e Distrisë në çerekfinale. Ndaj saj realizoi uazari të hershëm dhe e kontrolloi luftën deri në fund.
Kështu bëri vendin në gjysmëfinale, ku kaluan edhe tri favoritet tjera, Abe, Amandine Buchard dhe Chelsie Giles. Distria kishte përballë Gilesin. Dhe sërish realizoi herët uazari. Gjyqtari në tatami dha pikën për Distrinë, por kryegjyqtarët vlerësuan ndryshe, duke anuluar uazarin e saj. Distria kishte iniciativën, kërkoi hedhjen, por Giles rezistoi. Në fund të kohës së rregullt, Giles rrezikoi seriozisht Distrinë në luftën në dysheme. Lufta megjithatë, shkoi në kohën shtesë. Sërish kishte betejë në dysheme dhe Giles realizoi aksionin për uazari. Ajo bëri vend në finale, ndërsa Krasniqit i duhej një fitore për ta siguruar bronzin. Krasniqi e mposhti izraeliten Gefen Primo, që pësoi tri dënime. Izraelitja nuk rrezikoi asnjëherë Distrinë, që dominoi tërë kohën. Ndërkohë, Giles pësoi nga Abe, që fitoi medaljen e tretë të artë botërore për të mbetur superiore në kategorinë deri 52 kg. Francezja Buchard zuri vendin tjetër në podium, krahas Distrisë si fituese e medaljes së bronztë.
“Realisht uazari ishte i anuluar pa asnjë të drejtë”, ka folur trajneri Driton Kuka për momentin vendimtar në gjysmëfinalen e Distria Krasniqit. Kuka nuk ka udhëtuar për në Uzbekistan. Përgjegjësinë për ta drejtuar ekipin ia ka lënë Majlinda Kelmendit, kampiones olimpike në kategorinë deri 52 kg dhe tani ndihmëse e tij. Majlinda ishte në kënd të Distrisë të premten.
“Distria ka dominuar në çdo luftë. Me anglezen e humbi luftën, por pika që u anulua ishte e pastër. Anglezja më pas e zuri në mbajtje dhe fitoi. Por deri në atë moment, Distria ka dominuar plotësisht”, ka shtuar Kuka.
Për ekipin e tij është një tjetër ngjarje e suksesshme. Ka kohë që xhudistët kosovarë fitojnë medalje në secilën ngjarje madhore ku marrin pjesë.
Në Botërorët për seniorë, Kosova i ka shtatë medalje deri më tani, dy të arta e pesë të bronzta. Të artat i ka fituar Majlinda. Të bronztat Majlinda, Distria dy, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka.
Në Tashkent do të garojnë edhe Flaka Loxha (të shtunën), Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Të tjera medalje mund të fitohen. Por Botërori tashmë është një tjetër tregim suksesi. Dhe ekipi i Driton Kukës vazhdon ta mbaj nivelin e lartë.
“Medalja e Distria Krasniqit është me vlerë të artë. Është tjetër gjë të fitosh medalje në Botëror kur e ndërron kategorinë pas Lojërave Olimpike. Por niveli i Distrisë është shumë i lartë dhe këtë e dëshmon vazhdimisht”, ka shtuar Driton Kuka.