Sport

Dyshime për trukim në dy ndeshje të xhiros së fundit në Kosovë

Pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, morën Drenica e Trepça në këtë fundjavë. Në përballje me rivalin vendor, Feronikelin, Drenica triumfoi si mysafire 3:1, e jashtë shtëpisë triumfoi edhe Trepça me rezultat identik 1:3, duke e mposhtur Besën në Pejë.

Por a ishin të rastësishme këto befasi në fillim të fazës së tretë të Vala Superligës?

Në këtë fazë, në futbollin e Kosovës, zakonisht flitet për manipulime të mundshme.

Dyshime ka pasur gjithnjë, por të konfirmuar asgjë.

Ajo çfarë lë vend për dyshime janë ndeshjet e Kosovës, të pranishme në bastoret e ndryshme në vend.

Në njërën prej tyre në Prishtinë, kanë qenë edhe ndeshjet e Kosovës.

Në buletinin e bastores, ndeshja Feronikeli – Drenica, për të triumfuar ekipi nga Skenderaj, ka pasur kuotën më të lartë nga të gjitha ndeshjet, 14.50. Nga një përllogaritje e thjeshtë, nëse dikush ka vënë bast 10 euro të fitojë Drenica, ka mundur t’i fitojë 145 euro.

Por kuotat kanë qenë edhe më të mëdha, duke parë mënyrën se si ka fituar Drenica. Ekipi mysafir triumfoi dhe u realizuan 3 e më shumë gola. Për këtë mënyrë të fitores, kuota ishte 20.10.

Në rast të fitores së Drenicës, dhe të realizimit të një goli të skuadrës vendëse Feronikelit, në zhargonin e bastores e njohur si 2 dhe Gol-Gol, kuota ishte 36.9.

Dhe duke ditur se kjo ndeshje, në pjesën e parë përfundoi baras pa gola dhe në të dytën triumfoi Drenica, kuota ishte 29.1.

Dueli tjetër, si befasi e javës, ishte Besa – Trepça me fitoren e mitrovicasve në udhëtim, me rezultat 1-3.

Kuota për të fituar Trepça si mysafire ishte 6.00.

Mitrovicasit shënuan golin e parë në fund të pjesës së parë dhe në pjesën e dytë, edhe dy gola të tjerë.

Në zhargonin e bastores, edhe ky duel ka dal dysh-dysh, me kuotën prej 12.07.

Dhe njësoj si ndeshja Feronikeli – Drenica, ky duel ka përfunduar me fitore të ekipit mysafir dhe janë realizuar 3 gola e më shumë, me kuotën 8.10 dhe fitore e mysafirit, duke shënuar të dy ekipet, 9.10 kuotat për këtë mënyrë të lojës.

Pra të gjitha kuotat e mëdha nga këto dy duele, kanë dalë në këtë xhiro. Çfarë befasie?

Për këto dhe duelet e tjera flitet tash e sa ditë, si gjithnjë nuk ka të konfirmuar asgjë, me Federatën e futbollit të Kosovës, që vazhdon të heshtë para kësaj dukurie.