Ëndrra për të bërë karrierë të gjatë dhe të suksesshme, për futbollisten Elena Sadiku është shuar. Sadiku 24-vjeçare është detyruar të dorëzohet ende pa e nisur mirë karrierën si profesioniste.
24-vjeçarja që jeton dhe ka bërë karrierë në Suedi, i ka dhënë fund karrierës pas 12 operimeve të bëra në gjurin e këmbës së majtë në katër vjetët e fundit. Vetëm gjatë verës së kaluar thotë se shtatë herë është dashur t'u nënshtrohet intervenimeve kirurgjikale, shkruan sot Koha Ditore.
Vendimin për t'u tërhequr nga futbolli e ka përjetuar rëndë.
"Ka qenë vendim i vështirë të tërhiqem nga futbolli. Nuk mund të bëj atë që dua ta bëj - të luaj futboll. Kam qarë aq shumë dhe do të qaj kur do t'i kujtojë momentet më të bukura të karrierës time. Ndoshta do të kujtohem si një luftëtare e cila nuk ka hequr kurrë dorë. Falënderoj të gjithë për mbështetjen e dhënë. Do të kthehem ndoshta në një rol tjetër në futboll", është shprehur Sadiku të martën për gazetën.
Sadiku që luante në rolin e mesfushores sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës Hammarby, që garon në elitën e futbollit suedez. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).