Sulmuesi 20-vjeçar i Leverkusenit, Leon Bailey, që ka qenë sensacion në Gjermani këtë sezon, ka deklaruar se ekipet që i dëshirojnë shërbimet e tij, duhet të presin deri sa ai të zhvillohet si lojtar edhe më shumë.
Xhamajkani u transferua nga Genku te Leverkuseni në janar të vitit 2017-të për 13.5 milionë euro, dhe ka kontratë me klubin e Bundesligës deri në vitin 2022.
Këtë sezon ai ka shënuar nëntë gola në 20 ndeshje dhe e ka tërhequr vëmendjen e ekipeve të mëdha evropiane, përfshirë këtu dyshen nga Anglia, Manchester United dhe Arsenal, si dhe atë të Italisë, Milanin, transmeton Sporti në KTV.
“Leverkuseni është i përkryer për mua. Dua të zhvillohen këtu dhe më pas të marr hapin e radhës. Kur të kalojë te ndonjë ekip i madh, njerëzit do të dëshirojnë të më njohin mua. Dua të bëj emër të madh”, ka thënë Bailey për të përditshmen gjermane “Bild”. Sa i përket stilit të lojës, Bailey krahasohet me holandezin Arjen Robben.
Leverkuseni është në gjysmëfinale të Kupës DFB të Gjermanisë ku do të luajë kundër Bayernit, dhe sulmuesi ka premtuar se nëse skuadra e tij kalon në finale, do të triumfojë. Kjo skuadër e ka fituar vetëm një herë këtë garë në sezonin 1992-1993, ndërsa triumfi më i madh është Kupa e UEFA-s, e vitit 1987-88.