Sport

Dy emra të rinj te Kosova, Zenelaj synon të bëhet i rëndësishëm në përfaqësuese

Për basketbollistët e Kosovës nuk ka pushim. Menjëherë pas turneut final të Kupës, basketbollistët më të mirë të Kosovës, thuajse të gjithë pjesë e skuadrave të vendit, do të grumbullohen për ndeshjet e fundit të raundit të parë parakualifikues për Botërorin 2023.

Kosovës i duhen fitoret me Luksemburgun dhe Sllovakinë për të avancuar tutje në kualifikimet për Botëror. Ky është synimi i parë, ndërsa synim tjetër mbetet ripërtëritja graduale e përfaqësueses. Për këtë arsye në përfaqësuese janë afruar dy emra të rinj, Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri.

Lojtarët e përfaqësueses së Kosovës të hënën janë testuar për koronavirus, ndërsa të martën grumbullohen dhe izolohen në një hotel në afërsi të Prishtinës.

Ndeshjet e fundit të grupit B të raundit të parë parakualifikues luhen në Prishtinë. Më 18 shkurt janë ndeshjet Sllovakia – Islanda dhe Kosova – Luksemburgu. Më 20 shkurt Luksemburgu takohet me Islandën, ndërsa Kosova me Sllovakinë. Islanda prin në grup me 7 pikë. Sllovakia e Kosova i kanë nga 6 pikë, kurse Luksemburgu është i fundit me 5 pikë. Kosovës i duhen dy fitore për avancim.

Zenelaj e Sheqiri janë ftuar në grumbullim të gjerë nga selektori Christos Marmarinos, që po punon edhe për përtëritje të përfaqësueses. Marmarinos pritet t’ua ofrojë rastin të rinjve. Ai të mërkurën nis punën me përfaqësuese për këto dy ndeshje.

Zenelaj e Sheqiri tashmë janë në Prishtinë dhe janë testuar të hënën së bashku me lojtarët e tjerë.

Fundori 18-vjeçar, Denis Zenelaj, po e zhvillon karrierën në Gjermani. Ai është i nderuar që është ftuar në përfaqësuesen A të Kosovës. Më herët Zenelaj ka luajtur për të rinjtë e Kosovës.

“Jam i kënaqur që jam grumbulluar me Kosovën. Është një gjë që e kam synuar dhe për të cilën vazhdimisht punoj”, ka thënë Denis Zenelaj të hënën për KOHËN.

“Për mua është arritje e madhe që kam pranuar ftesë dhe kam besimin e FBK-së. Më mbetet që të fitoj besimin e trajnerit, por edhe nëse nuk do të marr minutazhë, jam i ri dhe kam kohë për ta ngritur nivelin e lojës”, ka shtuar ai.

Zenelaj ka qenë pjesë e Kosovës që nga grupmosha U14. Ai thotë se momentalisht është pjesë edhe e përfaqësueses U20. Me FBK-në ka qenë vazhdimisht në kontakt. Ai ka jetuar në Prishtinë deri në vitin 2017, kur u largua për në Gjermani si 14-vjeçar.

“Bashkimi me familjen dhe me ish-bashkëlojtarët dhe trajnerët ishte i mrekullueshëm. Kam pasur takime edhe me FBK-në dhe jam jashtë mase i kënaqur me mikpritjen e përgjegjësve. Deri në vitin 2017 isha pjesë e Kerasan Prishtinës me trajner Dritëro Sefaja. Prej vitit 2017 jam në Eisbaeren Bremerhaver, ku aktivizohem në ligën e parë të juniorëve, Bundesliga U19, si dhe në ligën e seniorëve, Pro A apo Bundesliga 2”, ka treguar Zenelaj. Ai në fakt ka një paraqitje këtë edicion në kategorinë e dytë gjermane.

“Unë synoj që të jem pjesë e rëndësishme e përfaqësueses dhe të korrim suksese së bashku. Unë po ashtu synoj të zhvillohem sa më shumë në situatën që jam tani, që në të ardhmen të luaj në nivelet më të larta të basketbollit evropian”, thotë basketbollisti i ri i Kosovës.

Edhe Dion Sheqiri ka luajtur për U16 të Kosovës. Shtatlarti (210 cm) po zhvillohet në Itali. Sheqiri është 17-vjeçar dhe luan te të rinjtë e Triestes.

“Është viti i tretë që jam në skuadrën italiane Trieste. Luaj për U18 derisa stërvitem me ekipin e parë. Edhe një vit kam kontratë me këtë skuadër dhe më pas të shohim. Ëndrra ime është që një ditë të luaj në Serie A. Duhet shumë punë. Konkurrenca më ka bërë shumë mirë dhe jam zhvilluar shumë qëkur jam larguar nga Kosova”, kishte thënë Sheqiri kohë më parë në një intervistë për sajtin zyrtar të FBK-së.

Edhe ai ishte te Kerasan Prishtina para se të largohej për në Itali.

“Jam duke pritur me padurim ditën kur do të debutoj me Kosovën A. Duhet të punoj shumë për të arritur objektivat pasi konkurrenca është e fortë”, ka shtuar Dion Sheqiri.

Te Kosova për ndeshjet e këtij muaji llogarisin në amerikanin e natyralizuar, Divine Myles, që luan për Ponte Prizrenin. Shawn Jones ishte kontaktuar, por ai është i lënduar. Dhe vendi i të natyralizuarit do të mbulohet nga Myles.

Image

Dion Sheqiri