Fadil Vokrri foli këtë javë për të dielën me “Koha Ditore”, bisedë që doli të jetë e fundit, me gjasë, për ndonjë medium.
Ai vdiq dje në moshën 57 vjeçare pas një sulmi në zemër.
Fadil Vokrri ishte në krye të futbollit të Kosovës në momentet më të rëndësishme të tij. Vokrri, i vlerësuar si lojtari më i mirë nga Kosova i të gjitha kohërave, ishte në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës kur ajo u pranua në UEFA e FIFA. Meritat e tij për pranimin që ndodhi në vitin 2016 u vlerësuan të mëdha.
Por Vokrri ka shkruar histori edhe si lojtar, si qendërsulmues. Ai ishte në krye të gjeneratës së artë të klubit Prishtina që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar luajti në Ligën e Parë të shtetit të dikurshëm federativ, Jugosllavisë. Është, po ashtu, shqiptari i vetëm që ka luajtur për Përfaqësuesen e Jugosllavisë. Ka shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje, një statistikë e lakmuar kjo, por nuk është paraqitur në ndonjë ngjarje të madhe, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vlerësohet se ai do të kishte gjasa të mëdha të luante në Botërorin e vitit 1986, sikur pjesë e tij të ishte Jugosllavia. Por Jugosllavia mbeti jashtë, nuk ia doli të kualifikohej dhe jashtë tij mbeti edhe Vokrri, tash 57-vjeçar.
Vokrri pritet të jetë në botërorin “Rusia 2018” si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Që në Botëror të shkojë së bashku me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, Vokrri duhet të presë ndonjë moment më të mirë. Përfaqësuesja e Kosovës në kualifikimet për “Rusia 2018”, që ishin të parat për të, mbeti e fundit në grup duke arritur vetëm një barazim dhe duke pësuar nëntë humbje... (më gjerësisht lexoni sot në të dielën me “Koha Ditore”)