Sport

Dukagjini, klubi që po formon lojtare për Kosovën

Të përgatitura për stërvitje, futbollistet e Dukagjinit po qëndronin afër dhomave të zhveshjes të stadiumit “18 Qershori”. Me padurim prisnin për t’u futur në fushën ndihmëse që është pak metra larg nga stadiumi kryesor i qytetit.

Për ta zhvilluar stërvitjen e së mërkurës, futbollisteve iu desh të prisnin rreth dhjetë minuta derisa futbollistët e ekipit të parë të Dukagjinit ta lironin fushën. Në mesin e futbollisteve ishin plot tetë reprezentuese të Kosovës. Pesë prej tyre janë pjesë e U-17, ndërsa tri te Përfaqësuesja U-19.

Pesë futbollistet e Dukagjinit, Shyhrete Racaj, Elsa Raci, Aurona Racaj, Erolinda Smakiqi dhe Kreshnike Ramaja ishin pjesë e rëndësishme e suksesit të madh të Kosovës U-17. Dy javë më parë futbollistet e reja të Kosovës në debutim në skenën evropiane janë kualifikuar në raundin e dytë kualifikues dhe janë promovuar në Ligën A. Në Ligën A, Kosova U17 do ta kërkojë kualifikimin në Evropian, që natyrisht është sfidë. Por futbollistet janë të vendosura për sukses.

Të vendosur për t’i formuar lojtaret për Kosovën janë edhe dy trajnerët Naim Kadriu dhe Blerim Millaku. Ky i fundit i stërvit portierët, ndërsa Kadriu futbollistet.

Klubi i futbollit të femrave Dukagjini është formuar në vitin 2015.

“Fillimisht formuam një ekip të vogël për të marrë pjesë në garat shkollore për vajza dhe po atë vit kemi dalë kampion. Pastaj filluam grumbullimin e vajzave të reja dhe nisëm të marrim pjesë në gara në vitin 2015. E nisëm me pak vajza dhe u detyruam të merrnim edhe vajza nga qytete të ndryshme për të formuar ekipin për gara”, ka thënë trajneri Kadriu.

Futbollistet stërviten tri herë në javë për të zhvilluar një ndeshje në Ligën e Femrave. Stërvitje të përbashkët bëjnë grupmoshat e U-17 dhe U-19.

Me grupmoshën U-17, Dukagjini është shpallur dy herë kampion dhe dy herë ka dalë nënkampion i Kosovës. Por synimi i tyre është që edhe këtë edicion të dalin kampion. Sot janë rreth 30 futbolliste të rregullta në ushtrime. Por ndryshe ishte gjashtë vjet më parë.

“Ajo tema tabu që ka qenë 2015 nuk ekziston. Vajzat lajmërohen rregullisht, pasi ka pasur paragjykime se nuk bën të merren vajzat me sport apo në këtë rast me futboll, ndërsa tani është thyer kjo tabu. Nuk ka paragjykime më. Rezultatet kanë bërë që kjo tabu të thyhen”, është shprehur Kadriu.

Image

Edhe te Përfaqësuesja U-19 janë tri futbolliste të Dukagjinit. Elma Kadriu, Doruntina Kryeziu dhe Ema Kastrati këtë muaj do të marrin pjesë me Kosovën në kualifikimet e Evropianit të vitit tjetër që do të zhvillohen në Kroaci. Kosova është në Grupin 5 të Ligës B, së bashku me Kroacinë, Letoninë dhe Lihtenshtajnin.

“Jam e kënaqur shumë sepse kemi një ekip shumë të mirë dhe për U-17 besojmë se sivjet do të bëhemi kampion, pasi jemi duke punuar shumë”, ka thënë Elma Kadriu. Kadriu është kapitene e U-19 të Kosovës.

“Qe pesë vjet merrem me futboll, ndërsa ka dy vjet që jam pjesë e Kosovës U-19. Ka qenë ëndërr e imja të luaj për Kosovën dhe unë po e përjetoj tani në realitet. Ëndrra ime në nivel klubi është të arrij majat e futbollit ndërkombëtar”, është shprehur Doruntina Kryeziu.

Trajneri Kadriu insiston se brenda dy vjetësh Dukagjini do të dominojë në futbollin e Kosovës dhe do të jetë i suksesshëm në garat e Ligës së Kampionëve.

“Më kanë motivuar shumë golat dhe suksesi me Kosovën për të vazhduar që të luaj edhe më shumë. Jam qe katër vjet pjesë e Dukagjinit dhe jam shumë e lumtur”, ka theksuar Aurona Racaj. Racaj ka shënuar plot shtatë gola në tri paraqitjet e para për Kosovën U17 në raundin e parë kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm. Aurona prej tetorit të vitit 2017 është pjesë e Dukagjinit të Klinës.

“Jam shumë e kënaqur me punën e trajnerëve dhe me angazhimin tonë. Kam dëshirë të arrij ta përfaqësoj në nivelin më të lart Kosovën dhe të jem e para e portës”, ka theksuar Blerina Millaku.

Edhe kapitenia e Kosovës U-17, Shyhrete Racaj, është e bindur se me punë mund të arrihen rezultate të mëdha.

“Jam tej mase e kënaqur që përfaqësoj Kosovën U-17 dhe ka qenë ndjenjë e mirë që nuk mund ta harroj emocionin e atij suksesi si kapitene. Trajnerët Naim Kadriu dhe Blerim Millaku më kanë përkrahur në çdo situatë dhe besoj se me punën e tyre do t’ia arrijmë të gjitha”, ka thënë ajo.

Te Dukagjini besojnë se edhe në të ardhmen do të formojnë lojtare për Përfaqësuesen. Aktualisht janë tetë dhe kjo dëshmon për punën e mirë që bëhet te kjo skuadër.