Te kampionia e Kosovës, Drita, i kanë parasysh forcën dhe përvojën e kampiones së Polonisë, Legias, me të cilën do të përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka paralajmëruar të premten se skuadra e tij nuk do të udhëtojë në Varshavë me “flamurin e bardhë”.
Madje ka shtuar se Drita do të përpiqet ta eliminojë Legian nëse e ka edhe mundësinë më të vogël. Mbi të gjitha, Nuhiu pret që ekipi i tij të jetë maksimalisht i përgatitur për këtë ndeshje, transmeton KOHA.
Dueli mes Legias dhe Dritës zhvillohet javën e ardhshme, më 24 shtator, kurse fituesi në plejof do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit.
Për Dritën kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në fakt, Drita është ekipi i parë nga Kosova që ka arritur deri në këtë raund, duke e shkruar historinë në futbollin kosovar. Kalimin në këtë raund Drita e siguroi pas fitores që e regjistroi të enjten mbrëma në Shkup kundër Sileksit me rezultatin 2:0. Kampionia e Kosovës i ka vazhduar garat në Ligën e Evropës pas eliminimit në Ligën e Kampionëve.
“Përballë kemi një kundërshtar të fortë, serioz dhe me qëllime të qarta. Ne do të mundohemi që të përgatitemi maksimalisht për këtë sfidë dhe synimi është që të japim më të mirën në këtë ndeshje të rëndësishme. Kjo do të thotë se nuk do të dorëzohemi për asnjë moment dhe do të provojmë fitoren”, është shprehur Nuhiu për KOHËN.
Nuhiu edhe njëherë nuk e ka fshehur gëzimin për kalimin në raundin e tretë eliminator të Ligës së Evropës. Deri të ndeshja me Legian, Nuhiu së bashku me futbollistët e tij do të mundohen të analizojnë mirë kundërshtarin nga Polonia për t’ia mësuar pikat e dobëta dhe të forta.
“Jam i lumtur për futbollistët që po e shkruajnë historinë, sepse e kanë merituar këtë sukses. Kanë punuar dhe besuar shumë, duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Kalimi në raundin e tretë është dëshmi se futbolli kosovar ka ngritje dhe ka shumë futbollistë cilësorë”, shtoi Nuhiu. “Ne do të përpiqemi që të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Evropë dhe me këtë synim edhe do të udhëtojmë drejt Varshavës”.
Optimist edhe më i madh se trajneri Nuhiu për duelin me Legian është treguar kapiteni i Dritës, Ardian Limani. Ky i fundit ka insistuar se Drita do të luftojë deri në fund të ndeshjes për ta kaluar edhe këtë pengesë në mënyrë që ta prekë plejofin e Ligës së Evropës, që është një ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve për sezonin 2020/21.