Sport

Drita përgatitet dhe testohet në Shqipëri për Sileksin

Te kampionia e Kosovës në futboll, Drita, para disa ditësh kishte dilema se në cilin vend të Maqedonisë së Veriut t’i vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Në opsion kishin Strugën, Ohrin dhe Mavrovën. Por te skuadra gjilanase kanë ndërruar mendje.

Përgatitjet për ndeshjen kundër Sileksit të Maqedonisë së Veriut do t’i zhvillojnë në Shqipëri, ku edhe do t’i kryejnë testet për koronavirus para ndeshjes që do ta zhvillojë më 17 shtator në Shkup. Kërkesa për të mos i zhvilluar përgatitjet në shtetin ku edhe do ta luajë ndeshjen, Maqedoninë e Veriut, ishte e trajnerit nga Shkupi, Ardian Nuhiu, thotë drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, të mërkurën, për KOHËN.

Murseli ka thënë se ekipi do të vendoset në Durrës, ku edhe do të vazhdojë përgatitjet derisa ka kërkuar që testimet t’i bëjë në Tiranë. Sipas tij, Drita nga Shqipëria do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut një ditë para ndeshjes me Sileksin, ekip që edicionin e shkuar doli nënkampion. Drita të enjten (sot) do të vendoset në Shqipëri për t’i vazhduar përgatitjet për këtë ndeshje të rëndësishme pasi deri më tash ka stërvitur në Gjilan. Në fakt, skuadra e Dritës do t’u nënshtrohet dy herë testeve për koronavirus. Herën e parë të enjten, me të arritur në Shqipëri, dhe herën e dytë 72 orë para ndeshjes, ashtu siç e kërkon Rregullorja e UEFA-s. Drita si kampione e Kosovës aventurën evropiane e nisi në turneun preliminar të Ligës së Kampionëve, por u eliminua në prag të finales së këtij turneu për shkak të rasteve me koronavirus.

“Ne do t’i vazhdojmë përgatitjet në Shqipëri, saktësisht në Durrës, ku edhe do t’u nënshtrohemi testeve përpara se të udhëtojmë për në Maqedoninë e Veriut më datën 16 shtator. I kemi ndërruar planet për shkak se ishte kërkesa e trajnerit tonë, Ardian Nuhiu, për të shkuar në Shqipëri. Besoj se do të jemi maksimalisht të përgatitur për këtë ndeshje”, është shprehur drejtori i përgjithshëm i Dritës, Murseli. “Ne tashmë kemi kërkuar që testet t’i bëjmë në Tiranë te ‘Synlabi’ ndonëse e kemi mundësinë edhe në Shkup. Mirëpo kemi vendosur që të gjitha t’i kryejmë në Shqipëri dhe të udhëtojmë drejt Maqedonisë së Veriut të qetë”.

Murseli beson që këtë herë askush te Drita nuk do të rezultojë pozitiv në testet për koronavirus për shkak se insiston që vazhdimisht kanë këshilluar futbollistët që të jenë të kujdesshëm në mënyrë që mos ta kenë as problemin më të vogël për ndeshjen kundër Sileksit.

“Po besoj që gjithçka do të shkojë mirë për shkak se futbollistët janë ruajtur shumë gjatë tërë kohës dhe pres të mos kemi as telashin më të vogël. Përgatitjet deri më tash kanë shkuar mirë dhe të gjithë me padurim po e presim ndeshjen me Sileksin, që natyrisht nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.