Sport

Brdarovski, “arma” e Dritës ndaj Sileksit maqedonas

Mbrojtësi i krahut, Vladica Brdarovski, synon ta ndihmojë Dritën e Gjilanit për ta mbrojtur titullin e Kosovës në futboll, por edhe për t’i vazhduar garat tutje në Ligën e Evropës. Brdarovski ditë më parë iu bashkua Dritës nga Vardari i Shkupit dhe me fanellën e ekipit kosovar pritet të debutojë gjatë kësaj jave. Brdarovski, 30-vjeçar, është i gatshëm të japë gjithçka nga vetja në ndeshjen më të rëndësishme të Dritës deri më tash, atë në udhëtim kundër Sileksit. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten (17 shtator) mbrëma në kuadër të raundit të dytë eliminator të Ligës së Evropës në Maqedoninë e Veriut dhe Drita prej javës së shkuar po përgatitet në Durrës për këtë përballje. Edhe pse ka pak ditë te skuadra e Dritës, Brdarovski të hënën për KOHËN ka thënë se është mirëpritur nga të gjithë në ekip dhe se gjërat po shkojnë shumë mirë. Ai ka pranuar se fokusi i të gjithëve në klub është ndeshja me Sileksin, ekip që e njeh shumë mirë. Brdarovski ka përvojë të madhe në kampionatin e Maqedonisë së Veriut pasi ka zhvilluar mbi 200 ndeshje dhe tre tituj të fituar. Krahas Vardarit, ai ka luajtur edhe te Rabotniçki e Pelisteri, kurse karrierë ka bërë edhe te Gyori (Hungari) e Brno (Çeki).

“Tashmë disa ditë i jam bashkuar ekipit dhe mund të them se gjërat po shkojnë shumë mirë. Të gjithë në klub më kanë mirëpritur dhe mua me mbetet të punoj në stërvitje dhe të adaptohem sa më mirë në ekip”, ka thënë Brdarovski për KOHËN.

Brdarovski ka folur edhe për duelin me Sileksin që edicionin e shkuar doli nënkampion i Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, Sileksi ka përparësi në këtë ndeshje për shkak se kampionati në Maqedoninë e Veriut ka filluar tashmë disa javë. Aktualisht, pas pesë xhirove të zhvilluara, Sileksi zë vendin e dytë në tabelë me dhjetë pikë, një më pak se Shkëndija e Tetovës që është lidere . Megjithatë, Brdarovski shpreson që Drita ta kalojë edhe këtë pengesë. Nëse vazhdon tutje, atëherë Drita do të bëhej ekipi i parë nga Kosova që është kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Evropës. Para dy edicionesh Drita u pati eliminuar në raundin e dytë të kësaj gare dhe te skuadra gjilanase këtë edicion po synojnë të shkojnë më lart në Evropë.

“Sileksin e njoh shumë mirë dhe mund të them se ekipi është ngritur shumë në krahasim me vitet e fundit. Luhet vetëm një ndeshje dhe gjithçka është e mundur. Sileksi ka përparësi për shkak se ata tashmë kanë filluar garat dhe do të jetë një ndeshje e fortë”, ka shtuar Brdarovski. “Shpresoj të kemi një paraqitje të mirë dhe në fund të festojmë kalimin tutje”.

Brdarovski, 30-vjeçar, që ka edhe shtatë ndeshje me Përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se te Drita është transferuar për titullin e kampionit. Ai thotë se pas titujve në Maqedoninë e Veriut, synon ta fitojë edhe një në Kosovë me fanellën e Dritës. Sipas tij, Drita ka një ekip të mirë dhe mund ta përsërisë suksesin e edicionit të fundit.

“Kam dashur të vij në një ekip që do të luftojë për titullin e kampionit. Pra, te Drita kam ardhur për titull pasi dua ta fitoj edhe një në Kosovë, pas atyre që i kam fituar në Maqedoninë e Veriut. Ishte trajneri Ardian Nuhiu që e njoh mirë, ai që më ftoi t’i bashkohem te Drita pasi më tha se liga e Kosovës është e fortë dhe ka një ekip të mirë për edicionin e ri”, ka deklaruar Brdarovski. “Nuk kam shumë njohuri për kampionatin e Kosovës por kam dëgjuar se liga po forcohet nga viti në vit, me përforcime nga Shqipëria dhe vendet tjera. Kështu që, besoj se edicioni i ri do të jetë shumë interesant dhe besoj se do të jemi plotësisht të gatshëm”.

Megjithatë, para fillimit të sezonit 2020/21 në Superligën e Kosovës që pritet të nisë këtë vikend, mbrojtësi Brdarovski dhe bashkëlojtarët e tij te Drita mbesin të fokusuar te dueli me skuadrën e Sileksit. Brdarovski është njëri prej gjashtë përforcimeve që skuadra e Dritës i ka bërë gjatë këtij afati kalimtar. Para tij, kampiones në fuqi i janë bashkuar edhe Aarago Jamal, Ergyn Ahmeti, Festim Alidema, Valmir Azemi dhe Enhar Cakolli.