Te kampionia e Kosovës, Drita, vlerësojnë se janë të gatshëm për ta nisur rrugëtimin që shpresojnë të përfundojë me titull të ri.
Trajneri i skuadrës gjilanase, Ardian Nuhiu, megjithatë, ka pranuar se mbrojtja e titullit nuk do të jetë aspak mision i lehtë.
Drita të mërkurën (sot) e nis mbrojtjen e titullit, me ndeshjen që e luan në shtëpi kundër Besës së Pejës, në kuadër të xhiros së katërt të Superligës. Është ky një fillim i vonshëm i kampionatit për kampionen.
Drita nuk i ka zhvilluar tri ndeshjet e para shkaku i angazhimeve që i kishte në Ligën e Evropës. Është ekipi i vetëm që ende nuk ka luajtur ndeshje në Superligë dhe trajneri Nuhiu pret një start të fuqishëm ndaj Besës së rikthyer në elitë. Besa e Pejës i ka tri humbje në po aq ndeshje të luajtura.
Nuhiu ka pranuar se synimi i Dritës mbetet mbrojtja e titullit të kampionit, por për të arritur një gjë të tillë ai ka thënë se ekipi duhet të bëjë shumë më shumë sesa ekipet e tjera. Sipas Nuhiut, ekipet e tjera do të jenë maksimalisht të motivuara kundër Dritës.
“Patjetër se do të mundohemi ta mbrojmë titullin e kampionit. Mirëpo, jemi të vetëdijshëm se do të jetë një garë shumë e fortë deri në fund dhe e kemi parasysh se këtë edicion duhet të bëjmë më tepër se çdo kundërshtar, pasi të gjithë do të jenë të motivuar kundër nesh”, ka pranuar Nuhiu të martën për KOHËN.
“Do të jetë një kampionat i vështirë, sidomos tani që ka ndryshuar formati. Një kampionat me dhjetë ekipe, ku thuajse çdo javë do të ketë një apo dy ndeshje derbi. Gjithashtu, edhe diferencat mes ekipeve janë të vogla, gjë që na obligon që secilën ndeshje ta vlerësojmë në maksimum dhe të japim më të mirën nga vetja”.
Drita javën e shkuar i dha fund aventurës evropiane për edicionin 2020/21, pasi u eliminua në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës nga Legia e Varshavës. Drita e shkroi historinë e futbollit kosovar duke u bërë ekipi i parë që arriti deri në këtë raund të kupave evropiane.
Drita edicionin e nisi në turneun preliminar të Ligës së Kampionëve, por u eliminua me rezultat zyrtar në finale për shkak të rasteve me koronavirus. Vazhdoi garimin në Ligën e Evropës. Pas kësaj aventure, te Drita fokusi është kthyer në kampionatin e Kosovës.
“Garat evropiane nuk kanë qenë të lodhshme këtë vit, sepse janë zhvilluar me vetëm nga një ndeshje dhe mund të them se ishin një përvojë e mirë dhe e suksesshme për ekipin tonë”, shtoi Nuhiu.
Angazhimi në garat evropiane ka bërë që Drita të lirohet prej xhirove të para në Superligën e Kosovës, kështu që nuk i ka luajtur ende ndeshjet me Llapin, Trepçën ’89 dhe Prishtinën. Trajneri Nuhiu këtë e ka parasysh dhe thotë se orari i ndeshjeve do të jetë i ngjeshur, por shton se ekipi i tij është i përgatitur edhe për një gjë të tillë. Sipas tij, Drita ka fond të mjaftueshëm lojtarësh dhe do të ketë mundësinë të bëjë rotacione nga ndeshja në ndeshje për t’i pushuar të gjithë.
“Orari do të jetë i ngjeshur, por jemi përgatitur për këtë. Përveçqë e kemi ruajtur grupin, ne kemi afruar edhe futbollistë të tjerë dhe do të kemi mundësinë që nga ndeshja në ndeshje të pushojmë ndonjë futbollist që do të zëvendësohet nga tjetri”, shtoi Nuhiu. “Shumë skuadra serioze janë në garë këtë sezon për ta fituar titullin, apo për t’i kapur garat evropiane dhe këtë më së miri e dëshmojnë transferimet që janë bërë. Kampionati në Kosovë po rritet nga viti në vit dhe gara për titull vetëm po bëhet më e fortë”.