Volejbollistet e Skenderajt nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë e parë për ta rikthyer titullin e kampionit të Kosovës. Titulli iu mohua Skenderajt nga kampionia në fuqi, Drita, që triumfoi në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit. Në duelin dramatik që ofroi një spektakël të vërtetë volejbolli, të luajtur të mërkurën mbrëma në Gjilan, Drita triumfoi me rezultatin 3:2 (25:21, 25:23, 27:29, 20:25, 15:10) në sete.
Me këtë fitore Drita ka ngushtuar epërsinë 2:1 ndaj Skenderajt, ekip që është vetëm një fitore larg titullit. Tani seria e ndeshjeve do të zhvendoset në Skenderaj, ku të premten mbrëma do të zhvillohet ndeshja e katërt dhe ekipi vendas ka edhe një mundësi për t’u shpallur kampion. Skenderaj është në kërkim të titullit prej vitit 2015, ndërsa Drita ka qenë forcë dominuese në volejbollin e femrave, ku në shtatë edicionet e fundit është shpallur gjashtë herë kampione.
Ndeshja e tretë, ku ishin të pranishëm rreth një mijë tifozë në palestër, zgjati për më shumë se dy orë dhe ishte e mbushur me emocione e adrenalinë. Drita e fitoi setin e parë me 4 pikë epërsi – 25:21 – edhe pse Skenderaj ishte në epërsi për pjesën më të madhe. Megi Hyseni ishte më e dalluara në këtë set te Drita, pasi realizoi hiç më pak se 10 pikë. Edhe seti i dytë i takoi ekipit vendas, ndonëse Skenderaj u mbajt mirë dhe herë pas here kishte epërsi të lehtë. Këtë set Drita e fitoi me rezultatin e ngushtë 25:23. Dhe, kur pritej që Drita ta fitonte setin e tretë dhe ta mbyllte dilemën e fituesit, volejbollistet e Skenderajt u kundërpërgjigjen. Edhe pse ishin në disavantazh deri në tri pikë, Skenderaj u rikthye dhe arriti ta fitonte këtë set me rezultatin 29:27.
Të motivuara nga fitimi i setit të tretë, volejbollistet mysafire u futën maksimalisht të motivuara në setin e katërt. Kishin epërsi deri në pesë pikë, përpara se ta fitonin këtë set me rezultatin 25:20 për ta dërguar ndeshjen në “tie-break” apo setin e pestë dhe vendimtar. Në këtë set Skenderaj ishte më i mirë dhe në epërsi, por Drita gjeti forcën të rikthehen me përkrahjen e publikut për ta fituar dhe shtyrë serinë finale.
Këtë set Drita e fitoi me rezultatin 15:10. Drita në këtë edicion tashmë e ka fituar Kupën e Kosovës dhe po synon mbrojtjen e titullit, ndonëse Skenderajt i mjafton fitorja në ndeshjen e katërt për t’i dhënë fund dilemës së kampionit. Në rast se Drita e fiton edhe duelin e radhës, atëherë titulli i kampionit do të vendoset në Gjilan, ku do të luhet ndeshja e pestë për shkak se skuadra gjilanase ka përparësinë e terrenit vendas.
Edicionin e rregullt Drita e ka përfunduar në pozitën e parë në tabelë, ndërsa Skenderaj doli i dyti. Në serinë gjysmëfinale, Drita ka eliminuar M-Technologien, kurse Skenderaj ishte më i mirë se Fer Volley.