Kampionia e Kosovës në futboll, Drita dhe nënkampioni Gjilani, në edicionin e ri që është paraparë të fillojë në muajin shtator, mund t’i zhvillojnë ndeshjet si vendës jashtë shtëpisë së tyre, përkatësisht jashtë stadiumit të qytetit në Gjilan.
Në stadiumin e qytetit në Gjilan ka kohë që zhvillohen punime, por nuk dihet se kur do të përfundojnë ato. Së fundi është rrënuar tribuna kryesore, derisa pritet shpejt të rrënohet edhe tribuna përballë saj. Të papërfunduara janë edhe dy tribunat pas portave.
Drejtori i përgjithshëm i klubit Gjilani, Sevdail Robelli, ka thënë se janë të zhgënjyer me ritmin e punëve.
“Sipas mbikëqyrësve të punimeve, do të ketë zhvendosje të rrethojave dhe sigurisht se kjo do të na vështirësojë në maksimum mundësinë e shfrytëzimit të stadiumit. Kjo është situata me stadiumin, kurse neve na mbetet të shohim edhe mundësinë e stadiumit të dytë të paraqitur në Federatë, e që është ai ndihmës me bari sintetik. Punët nuk kanë shkuar me ritmin e dëshiruar, kanë shkuar shumë ngadalë, por suksesi i dy skuadrave besoj se do të ndikojë që ta rregullojnë sa më shpejt, sepse problemet janë të mëdha sa i përket ngecjes së punimeve”, ka thënë Robelli të hënën për KOHËN.
Në të vërtetë, Gjilani e Drita e shfrytëzojnë për stërvitje një fushë me bar sintetik të ndërtuar nga fondet e Bashkimit Evropian. Ajo fushë i plotëson kriteret vetëm për stërvitje, jo edhe për ndeshje kampionale në Superligë.
Ndërkohë, drejtori i klubit Drita, Feti Murseli, thotë se kanë marrë premtime nga punëkryesit dhe zyrtarët e Komunës së Gjilanit se do ta bëjnë të pamundurën që për shikues t’i përfundojnë dy tribunat prapa portave, në mënyrë që të mos pengohet zhvillimi i ndeshjeve.
“Në një takim me punëkryesin dhe zyrtarët komunalë na kanë premtuar që tribunat prapa portave do të bëhen gati para se të nisë edicioni. Nuk besoj se do të vijë puna që ndeshjet t’i zhvillojmë diku tjetër, por nëse ndodh, ne e kemi fushën tonë me bar sintetik”, ka thënë Murseli.