Pas fitores kundër skuadrës austriake, Floridsdorfer Athletics Sports Club 2:0 në ndeshjen e parë kontrolluese, Drita ka barazuar në miqësoren e dytë, ndaj një kundërshtari shumë më të fortë.
Të dielën në Antalia të Turqisë, Drita barazoi 1:1 me skuadrën Chernomorets Odesa të Ukranisë, që luan në Premier Leaguen e Ukrainës.
Golin e avantazhit për “bardhekaltrit”, nënkampion të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll, e shënoi qendërsulmuesi Marko Simonovski që u asistua nga mesfushori Rron Broja, i cili fitoi një top në mesfushë.
Simonovski kishte shënuar gol edhe në miqësoren e parë kundër skuadrës austriake në minutën e 12-të, kurse Muharrem Jashari në minutën e 42-të e kishte vendosur rezultatin përfundimtar, ndaj ekipit që bën gara në rangun e dytë të futbollit të Austrisë.
Klubi i Dritës në faqen zyrtare në “Facebook” ka njoftuar se miqësoren e radhës do ta zhvillojë më 27 janar, por nuk ka e ka bërë të ditur kundërshtarin.