Drilon Kastrati ka shënuar gol në minutën e 93-të për fitoren 2:1 të Schaffhausenit në udhëtim ndaj Aaraut. Ndeshja e së martës mbrëma i takoi xhiros së 18-të të kategorisë së dytë të Zvicrës në futboll. Ai realizoi gol të bukur me goditje nga zona.
Schaffhauseni është i dyti me 32 pikë dhe po lufton për inkuadrim në Superligë. Fitorja e së martës ishte me shumë rëndësi për këtë synim. Te Schaffhauseni startuan kapiteni Imran Bunjaku, Bujar Lika, Valon Hamdiu, Uran Bislimi dhe Jetmir Krasniqi. Por fitoren e siguroi rezervisti Kastrati, që u aktivizua në minutën e 88-të. Për të ishte goli i parë dhe paraqitja e 12-të këtë edicion. Te Aarau, që renditet i gjashti, prej fillimit luajti Donat Rrudhani. U aktivizua edhe Liridon Balaj. Ndërkohë, Burim Kukeli realizoi autogol derisa Kriensi pësoi 2:0 nga Thuni. Kukeli në minutën e 26-të dërgoi topin në portën e tij, duke u munduar të largoj atë. Liridon Mulaj startoi te Kriensi, së bashku me Kukelin e Liridon Berishën. U aktivizuan edhe Izer Aliu e Progon Maloku. Kriensi është i teti me 16 pikë.