Sport

Drenica shijon fitoren e parë në Superligë

Drenica ka shijuar fitoren e parë këtë edicion në Superligë, pasi në javën e dytë e mposhti Vëllaznimin 1:0.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi mesfushori Taulant Dajaku nga pika e bardhë për t’i dhënë ekipit të tij pikët e plota nga ky takim.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja ekipet të cilat në fillim kërkonin të merrnin posedimin e topit, raporton Sporti në KTV.

Pas një aksioni të bukur nga gjakovarët, Egzon Gashi rrëzohet në 16-të metërshin e vendësve, por gjyqtari kryesor Fatmir Tahiri, heshti dhe loja vazhdoi.

Vendësit kishin mundësi të mirë shënimi kur pas një kundërsulmi të shpejtë Enis Zabërgja gjuajti bukur por Altik Muhaxhiri intervenoi edhe më mirë për ta shpëtuar skuadrën e tij.

Drenicasit u treguan të rrezikshëm edhe në minutat në vazhdim. Dukagjin Gashi, me një top të gjatë bukur e shërbeu Taulant Dajakun, i cili mjeshtërisht e parabolloi portierin Muhaxhiri, por ishte transversalja ajo që i mohoi golin vendësve dhe më pas portieri i gjakovarëve intervenoi për ta shpëtuar një gol të sigurt.

Mysafirët në minutat e fundit të pjesës së parë kishin një mundësi të artë shënimi, kur pas një harkimi në zonë nga Samir Sahiti, topi nuk u largua mirë nga mbrojtja e Drenicës dhe nga afërsia Semir Zeneli dështoi ta mposhtë Flamur Nezirin, që reagoi për mrekulli.

Pjesën e dytë më mirë e nisën vendësit të cilët fituan një penallti në minutën e 49-të.

Pas një goditje brenda zonës nga Sami Geci, goditja e këtij të fundit u ndal nga Albutrint Morina, që për gjyqtarin kryesor ishte penallti.

Nga pika e bardhë i saktë u tregua Dajaku për rezultatin 1:0.

Në minutat në vazhdim Vëllaznimi filloi ta kërkojë golin e barazimit duke krijuar disa gjysmë raste shënimi, por pa sukses.

Gjakovarët kërkuan penallti edhe në minutat shtesë të takimit kur pas një tollovie në zonë, goditja Zenelit u ndal nga mbrojtja vendëse duke bërë që futbollistët mysafirë të kërkojnë penallti por gjyqtari kryesor heshti edhe në këtë rast.

Deri në fund Drenica arriti ta menaxhojë mjaftë mirë ndeshjen për ta fituar në fund atë me rezultat minimal 1:0.

Në xhiron e radhës, Drenica udhëton te kampionia Trepça ’89, ndërsa Vëllaznimi në shtëpi e pret Vllazninë e Pozheranit.