Skuadra e Drenicës nëpërmjet një njoftimi të martën ka bërë të ditur se ka gjobitur kapitenin Shkëlzen Lushtaku për gjuhën e përdorur ndaj futbollistit të Gjilanit, Elton Cale.
Drenica ka bërë të ditur se ka gjobitur me 400 euro lojtarin “për përdorim të papërshtatshëm gjuhe që bie ndesh me vlerat që klubi ynë i kultivon”.
Dënimi i tij do të konvertohet në doancion për Qendrën Rinore në qytetin e Skënderajt, ku ky donacion do të përdoret për nisjen e një fushate kundër diskriminimit, fushatë që do të realizohet nga shkollat fillore në Skënderaj. Drenica e ka ftuar skuadrën e Gjilanit t’i bashkohet kësaj fushate për të dhënë shembull në përmirësimin shoqëror.
Gjilani ka lëshuar një komunikatë të hënën mbrëma. Gjilani thotë se futbollisti brazilian i tij, Elton Cale, është ofenduar në baza racore nga kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku.
Pas komunikatës së Gjilanit, Bordi i Drenicës ka mbajtur mbledhje me urgjencë dhe ka bërë të ditur se në protokollin e ndeshjes nuk ka pasur ndonjë ankesë nga lojtari apo zyrtarët e Gjilanit.
“Bordi i KF Drenica në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk justifikon përdorimin e papërshtatshëm të gjuhës nga ana e lojtarit, pasi ajo gjuhë bie ndesh me vlerat themelore sportive që Klubi Futbollistik Drenica beson. Jemi të bindur se gabimi në përdorimin e gjuhës së papërshtatshme e bërë nga ana e lojtarit tonë ka qenë në afekt dhe nuk paraqet vlerat që lojtarë jonë i bartë, pasi në ekipin tonë ndër vite kemi pasur dhe kemi është sot lojtarë që janë idhuj të tifozëve tanë nga pjesë të ndryshme të botës dhe lojtari jonë Shkëlqen Lushtaku, ka pasur dhe vazhdon të ketë miqësi, respekt e konsideratë për secilin nga ta”, shkruan në komunikatën e Drenicës.
Edhe
Gjilani i drejtohet UEFA-s: Cale u fye në baza racore nga Lushtaku
Drenica e Gjilani janë takuar javën e kaluar në kuadër të javës së tretë të Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje përfundoi pa gola.
Po ashtu, nëpërmjet një postimi në Facebook, edhe kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku ka kërkuar falje për veprimin e bërë. Ai ka kërkuar falje publike për shprehjen e gabuar të përdorur, si ka thënë një një moment nervozizmi sportiv ndaj lojtarit të Gjilanit, Elton Cale.
