Hakan Calhanoglu, Rafael van der Vaart, Jonathan Tah, Ruben Vargas janë disa nga emrat e futbollistëve që Dren Feka i ka pasur bashkëlojtarë në të kaluarën. Feka ishte bashkë me ta te Hamburgu dhe Luzerni. Tani po ushtron me Dukagjinin e Klinës.
“Me të gjithë këta kam luajtur dhe tash e shoh veten pak anash. E kam parë në të kaluarën veten me ata së bashku në fushë. E kam pasur të njëjtin talent, ndoshta edhe më shumë, por kështu si më ka shkuar puna më vjen inati. Besoj 100 % se mund të arrij sërish në nivel të lartë. Por, atëherë konkurrenca ishte e madhe”, tha Feka të dielën mbrëma për KOHËN.
Dren Feka është vlerësuar një prej talenteve më të mëdha në Gjermani. Ai pati nënshkruar kontratë profesioniste me Hamburgun sa ishte 18-vjeçar. Megjithatë, nuk arriti të paraqitet në asnjë ndeshje në Bundesligë. Synon ta bëjë një gjë të tillë në të ardhmen.
Duket shumë ambicioz synimi i Fekës. Por 26-vjeçari insiston se me punë mund të arrij sërish nivelin e ish-bashkëlojtarëve.
“Miroslav Klose me 28 vjet është bërë profesionist. Është rast specifik, por unë besoj se mund të kthehem në nivel të lartë sërish nëse kam një ecuri të mirë për një apo dy vjet. Edhe prej Kosovës”, insiston mesfushori.
Hambugu dhe Luzerni janë dy klubet e para profesioniste të Fekës, i cili pak ditë më parë iu bashkua në stërvitje Dukagjinit. Te Luzerni ka punuar me trajnerin Markus Babbel dhe Ferardo Seoane. Ky i fundit është bërë trajner i Borussia Moenchengladbachut.
Feka thotë se ka mësuar shumë nga dy trajnerët, por edhe nga bashkëlojtarët te Hamburgu dhe Luzerni.
Calhangolu luan për Interin, Tah për Bayer Leverkusenin, Ruben Vargas për Augsburgun. Van der Vaart është pensionuar, por ka bërë karrierë të madhe. Ka luajtur për Hamburgun, Real Madridin, Tottehnahmin, Betisin.
Feka me qejf nuk do të kthehej të luajë në Gjermani.
“Liga e preferuar është Premier League, jo Bundesliga”, thekson futbollisti nga Vushtrria.
Feka luan në pozitën e mesfushorit të qendrës. Së fundi ka qenë pjesë e Phonix Luebeck, që garon në Kategorinë e Katërt të Gjermanisë.
“Dy vjetët e fundit kam pasur një ngritje të vogël, por erdha këtu për të treguar se nuk e kam harruar futbollin dhe di të luaj ende dhe se mund të arrij sërish larg”, insiston Feka.
Por, pse nuk mbeti në nivelin ku ishte dikur?
“Lëndimet më kanë larguar nga skena, pasi besoj se po të mos i kisha këto lëndime do të isha duke luajtur në top ligat më të forta të Evropës”.
Feka u lind në Gjermani, për të cilën luajti disa ndeshje në grupmoshat U16, U17 dhe U19. Ka luajtur pak edhe për Shqipërinë U17 dhe Kosovën U21. Ka qenë i grumbulluar edhe te Kosova A, por nuk ka debutuar.
“Më kujtohet kur mora një telefonatë nga Albert Bunjaki dhe me kënaqësi pranova t’i bashkohem Kosovës. Kisha mundësi të vazhdoja me Gjermaninë, por dëshira ishte të luaja për Kosovën. Kam dëshirë të luaj ende për Kosovën. Kosova ka bërë lojtarë të fortë, ka përparuar shumë. I njoh lojtarët që luajnë në klube të mëdha në Evropë. Por, unë kam emër dhe nëse bëj sezon të mirë dhe vazhdoj në një klub tjetër në Evropë, e di se mund të thirrem sërish nga Kosova”, është optimist Feka.
Atij i duhet fillimisht të bind trajnerin e Dukagjinit, Armend Dallkun.
“Te Duakgjini më kanë pritur shumë mirë. Trajneri Armend Dallku më është dukur i aftë për futboll dhe prandaj vendosa shpejt. Me Dukagjinin synojmë të paraqitemi sa më mirë në garat e Evropës dhe po ashtu të sigurojmë një vend sërish edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërsa në planin individual synoj të ngrihem sërish në skenën ndërkombëtare, pasi kam pasur disa lëndime dhe më ka shkuar keq. Dua të bëj një sezon të mirë”, ka përsëritur Feka.
Ai së fundi ka luajtur me Andrea Hoxhën. Me portierin e ri të Ballkanit thotë se janë shokë të mirë.
“Hoxha më ka thënë fjalë të mira për kampionatin e Kosovës. Më ka thënë se ka përparuar shumë. Prandaj, Kosovën e shoh si një mundësi për t’u kthyer sërish në skenën ndërkombëtare. Ju e dini se shumë lojtarë tashmë nga Kosova kanë kaluar në klube të ndryshme në Evropë. Unë e kam më lehtë, pasi kam qenë njëherë në atë nivel. Kam pasur stacione të mira gjatë karrierës dhe kam ende emrin”.
Ai me Dukagjinin për herë të parë do të paraqitet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ka një udhëtim të largët. Në Gjibraltar. Do të përballet me klubin Europa. Ndeshja e parë luhet më 13 korrik, kurse e kthimit më 20 korrik në Prishtinë.