Skuadra e Milanit edhe zyrtarisht i ka ofruar kontratën e re, portierit Gianluigi Donnarumma, i cili tashmë ka marrë oferta edhe nga Juventusi e Interi. “Corriere della Sera” ka raportuar të hënën se në kontratën e re, Milani i ka ofruar portierit italian pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh. Donnarummas 21-vjeçar, kontrata aktuale me Milanin i skadon në fund të këtij edicioni dhe drejtuesit e klubit po duan ta mbajnë atë deri në vitin 2025.
Te Milani po e shohin Donnarumman si lojtar të rëndësishëm dhe për këtë arsye po duan ta mbajnë me çdo kusht në “San Siro”. Ai në edicionin 2015/16 ka debutuar me ekipin e parë të Milanit, kurse këtë edicion ka regjistruar 20 paraqitje në të gjitha garat. Donnarumma gjithashtu është edhe pjesë e Përfaqësueses së Italisë, për të cilën ka 22 ndeshje.