Sport

Dita e madhe e Botërorit po afrohet për portierin e Francës dhe Polonisë

Do të jetë ditë e madhe për portierët me reputacion të madh, kur fituesja në fuqi e Kupës së Botës, Franca, takohet me Poloninë, në rundin e një të tetës së finales së Botërorit të dielën.

Hugo Lloris do ta barazojë një rekord për “Les Bleus”, katër vjet pasi e ngriti lart trofeun si kapiten. Kundërshtari i tij në portë, Wojciech Szczesny, është pritës i penalltive, i mençur, i cili po e shijon këtë turne më shumë se çdo lojtar tjetër.

Të dy janë në skenë për të shkëlqyer në stadiumin “Al Thumama” në ndeshjen që nis në orën 16:00, me tentimin për t’i ndaluar dy prej sulmuesve më të rrezikshëm në Katar – Kylian Mbappe dhe dy herë futbollisti më i mirë i vitit i zgjedhur nga FIFA, Robert Lewandowski.

“Çelësi për ta ndalur Mbappen? Jam unë”, ka thënë Szczesny kur Polonia siguroi fazën nokaut.

Llorisi do të ballafaqohet me Lewandowskin në nivel përfaqësuesesh për herë të parë, ndërsa do ta barazojë rekordin e Lilian Thuramit, mbrojtësit të krahut të djathtë të Francës së vitit 1998, kur e fitoi Kupën e Botës.

“Është një e arritur e madhe dhe jam shumë i nderuar”, ka thënë Lloris të shtunën. Lloris ka vetëm një paraqitje më pak se Thuram, që luajti në 142 ndeshje për “Les Bleus”.

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, i cili ka luajtur shpesh me Thuramin dhe ishte kapiten në finalen e vitit 1998 në Paris, i ka përgëzuar që të dy.

“Ata kanë treguar profesionalizëm për përfaqësuesen”, ka thënë të shtunën Deschamps.

Llorisi është i qetë dhe lider i skuadrës së talentuar të Francës dhe e ka lavdëruar Szczesnyn, i cili ishte përballur më parë në derbin e Londrës veriore mes Tottenhamit dhe Arsenalit.

“Ai po zhvillon një turne të shkëlqyer”, ka thënë Lloris. “Polonia meriton të jetë në këtë skenë dhe ka një portier të jashtëzakonshëm po ashtu”.

Szczesny është i vetmi portier në këtë Kupë të Botës që ka pritur dy penallti – një kundër Arabisë Saudite dhe të dytin kundër Lionel Messit. Szczesny e kishte goditur fytyrën e yllit argjentinas në tentim për ta larguar topin pas një harkimi. Nuk kishte gola të shënuar në atë periudhë të lojës, ndërsa në fund, Argjentina kishte fituar 2:0 të mërkurën.

Szczesny e kishte treguar situatën se si kishte vënë bast me Messin gjatë kohës kur po shikohej VAR-i, duke i thënë se nuk do të ketë penallti.

Karakteri i portierit të Juventusit, 32-vjeçar, që pritet të luajë në ndeshjen e tij të 70-të për Poloninë, nuk është befasi për bashkëlojtarët.

“Nuk është se Wojciech Szczesny ka nisur të jetë portier kaq i mirë në këtë turne – ai ka qenë portier shumë i mirë për shumë vjet”, ka thënë sulmuesi Arkadiusz Milik të shtunën nëpërmjet një përkthyesi. “Nuk është befasi që përgjatë karrierës së tij, ai ka luajtur për klube kaq të mëdha”.

Polonia me shumë gjasë do të ketë nevojë për Szczesnyn dhe Lewandowskin për ta vazhduar fazën nokaut në një Kupë të Botës që prej vitit 1986. Që nga ajo disfata 4:0 nga Brazili, Franca i ka fituar dy tituj të Botës dhe ka qenë finaliste e mposhtur.
Deschamps foli për kualitetet e Lewandowskit duke përmendur mençurinë, dhuntinë teknike dhe mënyrën se si e përdor trupin në mënyrë inteligjente kundër mbrojtësve.

“Ai nuk kishte shumë topa në fazën e grupeve, por me vetëm një shans, ai mund të bëhet shumë i rrezikshëm”, tha përzgjedhësi i Francës.

Polonia ka pak shpresa sepse Franca u mposht në një të tetën e finales në vitin e kaluar të Kampionatit Evropian nga Zvicra. Mbappes iu prit penalltia vendimtare në ekzekutimin e penalltive, pas barazimit 3:3.

“Kemi folur shumë për atë”, ka thënë Lloris, i cili nuk kishte mundur ta ndalë ndonjë prej pesë gjuajtjeve të Zvicrës në natën e Bukureshtit. “Duhet të kesh vetëbesim, por nëse penalltia ekzekutohet mirë, atëherë portieri nuk ka shanse për ta ndalur atë”.

Në Katar, Szczesny mund të jetë i vetmi që e vërteton ndryshe një gjë të tillë.