Pas mungesës së gjatë në gara të Majlinda Kelmendit dhe më pas pensionimit të saj, Uta Abe e Amandine Buchard ishin fytyrat kryesore në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Japonezja Abe e mposhti Buchardin në finale të lojërave olimpike “Tokio 2020”.
Francezja Buchard vjet e fitoi Mastersin, Evropianin e Grand Slamin e Abu Dhabit. Abe paraqitet më pak në gara, por së fundi zakonisht ka fituar ku është paraqitur. Në ranglistën botërore Buchard është e para e Abe e dyta, me shkëputje të konsiderueshme me pjesën tjetër të xhudisteve deri 52 kg.
Ato së fundi janë konsideruar “ligë tjetër” me xhudistët e tjera të kategorisë. Por tashmë e kanë një rivale shumë të fortë. E kanë Distria Krasniqin, kampionen olimpike nga Kosova. Distria në Tokio fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë dhe tashmë i ka tri gara në kategorinë deri 52 kg, aty ku kishte garuar edhe më herët.
Në vjeshtë, pak kohë pas kthimit në procesin stërvitor, nuk ishte në formën më të mirë fizike dhe u rendit e pesta në Grand Slamin e Bakusë. Gjërat kanë ndryshuar këtë vit për 26-vjeçaren nga Peja. Në Grand Prix të Portugalisë, që u mbajt para një jave, Distria fitoi të artën. Të shtunën në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme të xhudos, Distria arriti në finale. U mposht nga Buchard pas një meçi të jashtëzakonshëm, por dha sinjale se është sfiduese e fuqishme e dyshes që së fundi ishte konsideruar e paprekshme. Këtë në fakt e ka pranuar edhe vetë francezja Buchard.
“E kam ditur se do të jetë shumë vështirë që ta mposht Distrinë. Tani nuk ka të bëjë vetëm me mua dhe Aben, pasi Distria shpejt do të jetë pjesë e top-grupit”, ka thënë Amandine Buchard pas garës në Paris.
Për shkak të ndryshimit të kategorisë, Distria nuk ishte lart në ranglistë. Nuk është ende aty ku e ka vendin. Pas suksesit në Portugali përparoi për 16 pozita dhe doli në vend të 22-të. Për shumë pozita do të avancojë edhe pas suksesit në Paris. Dhe së shpejti do të jetë në top-10 e po ashtu në top-5.
Buchard në Paris ishte bartësja e parë. Distria ishte vetëm bartësja e shtatë. Shorti nuk e ka favorizuar, por, megjithatë, arriti në finale. Finalja nisi keq për Distrinë, që mori dy dënime. Por nuk e humbi qetësinë. Gradualisht nisi të sulmonte më shumë dhe lufta shkoi në kohën shtesë. Në kohën shtesë Distria kishte më shumë nga lufta. Ishte superiore sa i takon forcës dhe qëndrueshmërisë. Buchard humbi freskinë, por, megjithatë, e befasoi kosovaren me një aksion për të shënuar fitore. Por ndryshe do të jetë herëve të tjera. Këtë e di Buchard. E dinë natyrisht edhe Distria e trajneri i saj Driton Kuka. Superioriteti fizik i Distrisë do të vijë në pah në duelet e tjera. Kjo ishte vetëm përballja e parë mes dy xhudisteve.
“Nuk e kam studiuar fare. Jam fokusuar te vetja. Strategjia ishte të jem shumë agresive nga fillimi. Ka funksionuar, por ishte vështirë”, ka shtuar Buchard.
Edhe Distria ka marrë mësimet e duhura nga finalja e gjatë dhe e fortë me francezen. Shpesh sportistës më shumë mësojnë nga humbjet se nga fitoret.
“Ishte vështirë. Ajo ka provuar hedhjen e njëjtë gjatë tërë finales, por e bëri atë lëvizje në mënyrë të përkryer. Duhet të mësoj nga kjo që ka ndodhur”, ka thënë Krasniqi.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka komentuar se Krasniqi tashmë është përshtatur në kategorinë e re. Edhe ekspertët e IJF-së kanë vërejtur se Buchard është lodhur përballë kampiones kosovare.
“Buchard këtë herë ka pasur pak më tepër dëshirë, por qartë se do të ketë përpjekje për revansh në muajt dhe vitet e ardhshme. Krasniqi sot nuk e ka thënë fjalën e fundit”, ka shkruar IJF-ja.
Ekspertja e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Loretta Cusack-Doyle, ka shkruar se edhe sikur Distria ta fitonte finalen, nuk do të ishte e padrejtë. Ajo ka bërë analizën teknike të ditës së parë të Grand Slamit të Parisit. Gara është zhvilluar në atmosferë impozante, para më shumë se 10 mijë shikuesve.
“Mendoj se Krasniqi po rritet në këtë kategori dhe po ndihet komode. Ajo do të jetë pretenduese e madhe për Lojërat Olimpike”, ka shkruar Cusack-Doyle, ish-kampione botërore dhe kampione e dyfishtë evropiane.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka pak rezerva në disa vendime të gjyqtarëve në kohën shtesë, por nuk është ndalur shumë në këtë. Sipas Kukës, Buchard e Abe më nuk mund të ndihen sovrane në kategori.
“Për Distrinë është nismë e një rruge të gjatë. Buchard e Abe ishin sovrane në 52 kg. Sfidë e kemi punën e tyre për dy vjet e gjysmë”, ka thënë Kuka për KOHËN, të dielën. Ai synimin e madh e ka olimpiadën “Parisi 2024”.
“Sinjalet e Distrisë janë të duhurat. Buchard është garuese cilësore, por nuk ishte më e mirë se Distria”, ka shtuar Kuka.