Kampionia olimpike, Distria Krasniqi nuk ka pasur telashe për ta kaluar pengesën e parë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Në kuadër të raundit të dytë në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti bullgaren Gabriela Dimitrova për më pak se dy minuta. Distria realizoi hedhje për dy “Waza-ari” që ia siguruan fitoren bindëse. Tani Distria do të përballet me bartësen e parë, francezen Amandine Buchard. Është finale para finales.
Të dy xhudistet vjet fituan titullin evropian, por Distria në kategorinë deri 48 kilogramë. Buchard aktualisht është xhudistja kryesore e kategorisë, ndërsa kishte fituar medalje edhe në Lojërat Olimpike.
Luftën e vetme mes dy xhudisteve e kishte fituar Buchard, më herët këtë vit në Grand Slamin e Parisit.