Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Didier Drogba i jep fund karrierës aktive si futbollist

Njëri nga sulmuesit më të mirë në botë, Didier Drogba, i ka dhënë fund karrierës aktive si futbollist, duke lënë prapa një karrierë të gjatë e të pasur 20-vjeçare.

Ish-sulmuesi i Chelseat, skuadra me të cilën fitoi më së shumti, të mërkurën mbrëma dha lajmin e tërheqjes nga futbolli, në moshën 40-vjeçare.

Me kombësi nga Bregu i Fildishtë, Drogba karrierën profesionale e nisi në moshën 18-vjeçare kur ishte pjesë e skuadrës Le Mans, mirëpo futbollin e ligës elite ai e shijoi vetëm në moshën 23-vjeçare, kur nënshkroi për skuadrën Guingamp, në vitin 2002.

Në vitin 2003 kaloi te Marseille dhe një vit më pas, nënshkroi për Chelsean, skuadrën që atë e bëri të njohur për botën, fitoi shumë trofe dhe realizoi 164 gola në 381 paraqitje.

Katër herë kampion i Anglisë, njëherë fitues i Ligës së Kampionëve, 4 Kupa FA dhe dy Kupa të Ligës angleze, janë trofetë kryesorë të Drogbës me fanellën blu, derisa gjatë kësaj kohe, ai është zgjedhur edhe dy herë futbollisti më i mirë i Afrikës.

Pas tetë vjetëve te Chelsea, ai luajti në Turqi e në Kinë, para se të kthehej edhe njëherë në Londër, për një aventurë të shkurtër. Karrierën e vazhdoi në SHBA te skuadra Phoenix Rising, për të varur këpucët në gozhdë dhe duke i dhënë fund një karriere të gjatë me shumë gola e tituj.