Etiopiani Lelisa Desisa ka fituar maratonën e famshme të New Yorkut të dielën, ndërsa kenianja Mary Keitany ka shtrirë dominimin në konkurrencën e femrave duke fituar për herë të katërt në pesë vitet e fundit.
Desisa siguroi fitoren duke vrapuar 42 kilometra e 195 metra për 2:05:59 orë, ndërsa la prapa vetes bashkëkombësin Shura Kitata (2:06:01), shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Kampioni i vitit të kaluar keniani Geoffrey Kamworor përfundoi i treti me kohë 2:06:26 orë.
“Sot ishte dita ime. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Desisa, fitues i dyfishtë i maratonës së Bostonit. Për Desisan ishte fitorja e parë në maratonën e New Yorkut, pasi kishte përfunduar i dyti në vitin 2014 dhe i treti në vitin 2015 dhe 2017.
Keitany ndërkohë është rikthyer sërish në fron të New Yorkut. Vitin e kaluar përfundoi e dyta pas amerikanes Shalane Flanagan, ndërsa në tre vjetët e mëhershëm kishte triumfuar.
Kenianja 36-vjeçare të dielën fitoi me më tepër se tre minuta epërsi. Ajo regjistroi kohë 2:22:48 orë.
“Vitin e kaluar isha e dyta, por nuk u dorëzova”, ka thënë Keitany, që ishte kthyer në vendlindje për të stërvitur fort për këtë garë. Ajo kishte fituar në New York në vitet 2014, 2015 dhe 2016, para se Flanagan t'i jepte fund serisë së fitoreve të saj. Kampionia e maratonës së Londrës, keniania Vivian Cheruiyot përfundoi e dyta të dielën me kohë 2:26:02 orë, ndërsa vendi i tretë i takoi amerikanes Flanagan me kohë 2:26:22 orë. Tri atlete amerikane ishin në mesin e gjashtë më të mirave, ku Molly Huddle përfundoi e katërta dhe fituesja e Bostonit, Des Linden doli e gjashta.