Mbrojtësi Kastriot Dermaku do të kalojë te Parma, kanë njoftuar të enjten media të afërta me këtë klub të Serie A të Italisë. Ka gjasë që reprezentuesi i Shqipërisë të prezantohet të premten te Parma.
Raportohet se Dermaku do të firmosë kontratë katërvjeçare me Parman, transmeton Koha Ditore.
Parma do ta mbajë Dermakun në skuadër dhe nuk do ta huazojë te Cosenza, klub për të cilin mbrojtësi i qendrës luajti në dy vitet e fundit, një herë në Serie C e më pas në Serie B.
Dermaku 27-vjeçar ka luajtur edhe në ekipe tjera italiane, por jo në Serie A. Në vitin 2015 firmosi me Empolin e Serie A, por nuk ia doli të luajë për këtë skuadër. Ai është reprezentues i Shqipërisë, ndërsa është grumbulluar më parë edhe me Kosovën.
Ndërkohë Donis Avdijaj mund të kthehet te Sturm Grazi në Austri, kanë raportuar të enjten media të këtij vendi.
Sulmuesi ka lënë gjurmë te Sturmi dhe ky klub po e shqyrton mundësinë për ta angazhuar sërish. Avdijaj është pa skuadër që nga fundi i vitit të kaluar. Së fundi ka luajtur në Holandë.