Gjilan, 22 nëntor - Një tabelë e mbështetur në një pjesë të tribunës së stadiumit të qytetit në Gjilan paraqet datën e fillimit dhe të përfundimit të punimeve në këtë objekt. Në tabelë është edhe pamja që duhet të marrë stadiumi, pasi të përfundojë rinovimi i tij. Por pamja në tabelë nuk përputhet as për së afërmi me gjendjen reale të stadiumit. Përfundimi i punimeve është ende shumë larg.
Edhe pse ditë pune, të hënën gjatë qëndrimit të ekipit të KOHËS në stadium, aty janë parë pak punëtorë dhe vetëm një ekskavator, me të cilin u bë pak punë. Në bazë të projektit rinovimi ka nisur më 23 tetor të vitit 2017, ndërsa është dashur të përfundonte më 23 tetor të vitit 2020.
Se nuk dihet data e përfundimit të punimeve në stadium e thonë edhe zyrtarët e Gjilanit dhe të Dritës, dy klubeve që shfrytëzojnë stadiumin e qytetit.
Drejtori i klubit Gjilani, Sevdail Robelli, tregon se ka pasur telashe në realizimin e punimeve.
“Katër vjet më herët kanë nisur punët dhe gjatë rrugës ka pasur një ndryshim të projektit, gjithmonë sipas informatave që na janë dhënë. Por fundin e punimeve nuk po e shoh. Me këtë ritëm të punimeve sigurisht se do të zgjasë shumë, por shpresojmë në qeverisje të re që ta rrisë presionin dhe të ushtrojë gjithë ndikimin që e ka për t’u zhvilluar punimet me një ritëm më të lartë”, ka thënë Robelli.
Shpresë se punimet do të përfundojnë shpejt nuk ka as drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.
“Nuk i di çështjet politike, por ne si sportistë ose klube dëshirojmë që punimet në këtë stadium të marrin fund. Me aq sa kemi parë dhe punimet që po bëhen tash nuk kemi shpresë. Ndoshta edhe dy vjet kjo mund të përfundohet. Por gjithsesi shpresojmë shumë dhe i inkurajojmë qoftë qeverinë apo politikanët që kanë ndikim te ky stadium që ta marrin për bazë, sepse për ne është e rëndë si dy klube të qytetit të kemi këtë infrastrukturë”, ka theksuar Zymberi.
Hyrja në fushën e stadiumit të qytetit të Gjilanit është shumë e lehtë. Mungojnë rrethoja për të pamundësuar hyrjen në fushë të shikuesve. Në këtë objekt, që zyrtarisht është në rinovim, të mërkurën luhet derbi më i madh i futbollit kosovar, mes Gjilanit e Dritës. Është plotësisht e qartë se gjendja e stadiumit është larg asaj që kërkohet për një derbi.
Organizimin e ndeshjes e ka Gjilani, ndërsa kjo për Robellin është sfidë e madhe.
“Ai më së paku është stadium. Është kantier ndërtimi që po zgjat katër vjet. Ne kemi bërë kërkesë që ndeshjen ta zhvillojmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por nuk kemi marrë miratimin nga Federata dhe në këto rrethana jemi detyruar që ndeshjen ta zhvillojmë në stadiumin tonë. Kjo e ka përparësinë për tifozët vendës, por për ne si zyrtarë do të jetë sfidë”, është shprehur Robelli.
Zymberi është i befasuar se si është lejuar që ndeshja të luhet në stadiumin e qytetit.
“Unë jam befasuar për mënyrën se si do të organizohet kjo ndeshje, pasi definitivisht stadiumi nuk është në gjendje të mirë. Stadiumi nuk ka as rrethoja, as gjërat elementare. Por është një sakrificë e madhe për të organizuar ndeshje në këtë stadium”, ka deklaruar Zymberi.
Derbi i parë i këtij edicioni u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” dy muaj më parë. Gjatë pushimit prej 15 minutash pati një përleshje në mes të tifozëve të Dritës dhe Gjilanit.
Për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm në derbin e së mërkurës, në Policinë e Gjilanit thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat.
“Përkundër asaj që keni parë se stadiumi është në punim e sipër, policia ka numër të mjaftueshëm për sigurimin e ndeshjes dhe besojmë se do të shkojë në rregull në atë ndeshje”, ka thënë Hashani.
Rinovimi i stadiumit të qytetit të Gjilanit është njoftuar se shtetit do t’i kushtojë dhjetë milionë euro, ndërsa është paraparë të jetë i kategorisë së katërt. Por, se kur stadiumi do të jetë gati nuk e di askush.
{gallery}