Sport

Derbi luhet të shtunën ndërmjet Romës e Interit

Vazhdon gara e fortë në vikend në elitën e futbollit italian dhe kryendeshja do të luhet në kryeqytet.

Roma do të jetë nikoqire e skuadrës kampione në fuqi të Italisë, Interit.

Janë zhvilluar gjithsej 176 ndeshje në mes të këtyre dy skuadrave, dhe janë “nerazzurrët” që kanë bilanc më të mirë me 73 fitore, krahas 49 disfatave. 54 ballafaqime janë mbyllur baras.

Kjo ndeshje ka dhuruar më së shumti gola në historinë e elitës së futbollit italian, gjithsej 511, të paktën 38 më shumë se çdo sfidë tjetër.

Interi nuk ka humbur në tetë ndeshjet e ndërsjella në Serie A, por “giallorossët” e kanë humbur vetëm një duel në “Olimpico” në 12 të fundit ndaj Interit.

Do të jetë ndeshje e veçantë edhe për trajnerin Jose Mourinho, që e drejtoi Interin e lavdishëm të vitit 2010.

Takimi Roma – Inter luhet të shtunën në orën 18:00.

Lideri i tabelës aktualisht, Napoli, takohet të shtunën me Atalantan në stadiumin “Diego Armando Maradona” në orën 20:45. Në pesë ndeshjet e fundit më e suksesshme ka qenë Atalanta, e cila i ka fituar tri nga pesë takimet e fundit kundër Napolit.

Xhiroja e 16-të në Serie A do të hapet me takimin mes Milanit dhe Salernitanas që luhet në orën 15:00.

Këto dy skuadra nuk janë takuar me njëra-tjetrën për gati 23 vjet në elitën e futbollit italian.

Hera e fundit kur janë ballafaquar ka qenë 31 janari i vitit 1999. Atë takim, “Rossonerët” e kishin fituar me rezultatin 3:2, falë dy golave të Oliver Bierhoffit dhe një tjetër që u shënua nga George Weah.

Në katër takimet sa i kanë luajtur në total këto dy skuadra, tri fitore i ka Milani dhe një tjetër i ka takuar Salernitanas, në vitin 1948, 3:2.