Skuadrat e qytetit të Milanos, Interi dhe Milani pritet të kenë punë të lehtë këtë vikend, ndërsa një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Juventusin, ekip që po ashtu synon kreun e tabelës në Serie A. Interi dhe Milani po vendosin ritmin këtë edicion, por të dyja skuadrat po përballen me lëndime pasi po balancojnë synimet e tyre në kampionat me ambiciet në Ligën e Kampionëve. Të dyja ekipet që prijnë në tabelë me nga 18 pikë, kanë ndeshje që pritet t’i fitojnë të shtunën, në kuadër të xhiros 8-të në Serie A. Interi prej orës 15:00 e pret në shtëpi Bolognan, ndërsa nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin Marcus Thuram, i cili pësoi lëndim në fitoren ndaj Benficas në Champions. Po ashtu, trajneri Simone Inzaghi nuk mund të llogarit as në Marko Arnautoviqin e Davide Frattesin, që gjithashtu janë të lënduar. Milani prej orës 20:45 luan në udhëtim te Genoa dhe trajneri Stefano Pioli pritet t’i pushojë disa prej lojtarëve kryesor pas angazhimit të fundit në Champions, ku luajtën pa gola ndaj Borussia Dortmundit.
Për dallim prej këtyre ekipeve, Juventusi në këtë xhiro do të ketë punë më të vështirë. E pret në shtëpi rivalin e qytetit, Torinon, në derbin që zhvillohet të shtunën dhe nis në orën 18:00. Juventusi është i katërti në tabelë me 14 pikë të mbledhura, pesë më shumë se Torino që zë vendin e dhjetë. Juventusit në këtë ndeshje do të ketë mungesë të madhe, pasi sulmuesi Federico Chiesa nuk është ftuar në ekip nga trajneri Massimiliano Allegri për shkak të një lëndimi muskulor. Në anën tjetër, te Torino mungesë pritet të jetë reprezentuesi i Kosovës, Mërgim Vojvoda që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që e ka lënë jashtë fushe në katër ndeshjet e fundit kampionale.
Ndërkohë, të dielën prej orës 15:00, Lazio luan në shtëpi kundër Atalantas. Lazio është në presion pas startit të dobët në Serie A, ku ka regjistruar vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit.
Xhiroja e tetë e kampionatit të Italisë, do të mbyllet me ndeshjen që luhet në stadiumin “Diego Armando Maradona” prej orës 20:45, ku kampioni në fuqi, Napoli e pret Fiorentinën.