Me fitore në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Prishtina është ngritur në pozitën e parë në klasifikim. Kryeson në tabelën e Vala Superligës së Kosovës në futboll me 35 pikë. Por që qëndrimi në krye të mos jetë episodik - vetëm njëjavor - Prishtina duhet të marrë pikë në sfidën e radhës.
Sfidën e radhës e ka në një terren të vështirë, në atë të stadiumit të qytetit në Gjakovë, ndaj rivalit të moçëm, Vëllaznimit. Prishtina e Vëllaznimi vlerësohen dy prej skuadrave me traditën më të pasur në futbollin kosovar, ndërsa përballjet e tyre gjithnjë kanë zgjuar interesim te shikuesit, shkruan sot Koha Ditore.
Shumë shikues priten edhe të shtunën (sot) në stadiumin e qytetit në Gjakovë, në ndeshjen që nis në orën 13:00 dhe që i takon javës së 20-të të kampionatit të Kosovës në futboll. Prishtina falë fitores 2:0 ndaj Llapit është ngritur në pozitën e parë. Në javën e parë të pranverës, Vëllaznimi luajti në udhëtim me kampionen në fuqi, Trepçën '89, dhe pësoi 1:0.
Vëllaznimi është i nënti me 25 pikë. Por skuadra gjakovare, që shquhet për përkrahjen e madhe të tifozëve, është riorganizuar gjatë pushimit midis dy edicioneve dhe për pranverë ka pretendime. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).