Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Dënimet e Ten Hagut dhanë fryte tek Unitedi

Foto: Reuters

Erik ten Hag u dha shembull yjeve të Manchester Unitedit që nuk u paraqiten mirë ndaj Brentfordit, kur mori pjesë në vrapimin prej 13 kilometrave si pjesë e dënimit për disfatën e thellë vikendin e kaluar.

“Sportsmail” ka raportuar se trajneri holandez i ka urdhëruar lojtarët të bënin vrapime ekstra, një ditë pas humbjes turpëruese 4:0 nga Brentfordi më 13 gusht.

Statistikat nga ndeshja treguan se Unitedi ka vrapuar 13.8 kilometra më pak se Brentfordi.

Pushim nuk kishte të dielën dhe futbollistët është dashur të bënin stërvitje në të nxehtit përvëlues.

Kjo nuk u pëlqeu lojtarëve të Unitedit, por Ten Hag e bëri vrapimin bashkë me ta, për t’u treguar se ky është mesazh se të gjithë janë përgjegjës për humbjen, nga stafi drejtues e poshtë.

Ten Hag ka nënvizuar se ka pasur shumë “fjalë” dhe ka qenë momenti për të “vepruar” me punë e angazhim.

Pasi u mposhtën nga Brentfordi edhe në statistika, lojtarët e Unitedit vrapuan rreth 114 kilometra kundër Liverpoolit, më shumë se 16 kilometra sesa që kishin vrapuar ndaj Brentfordit.

Unitedi madje pati edhe 90 vrapime të shpejta më shumë ditën e hënë, sesa që kishin bërë javën e kaluar.

Madje, gjuajtjen e parë në portë ndaj Liverpoolit e kishin lejuar vetëm në minutën e 19-të, krahasuar me atë ndaj Brentfordit, kur ishin rrezikuar që në minutën e pestë.

Kjo strategji e trajnerit holandez ka bërë që Unitedi të paraqitet krejtësisht ndryshe ndaj “të kuqve” të Juergen Kloppit.

“Djajtë e kuq” fituan me rezultatin 2:1.

Artikuj të ngjashëm