Sport

Deçiqi: U përballëm me thirrje shoviniste, por arritëm sukses unik për Evropë

Deçiqi i Tuzit do ta përfaqësojë Malin e Zi në Ligën e Konferencës edicionin e ardhshëm. Deçiqi, që është klub shqiptar nga Tuzi, ka mbyllur edicionin në Ligën e Parë të Malit të Zi në pozitën e tretë. Po ashtu skuadra nga Tuzi të dielën luajti në finale të Kupës së Malit të Zi, ndërsa pësoi 3:1 në Podgoricë nga Buduqnosti.

Ndeshja finale mbeti në hije të fyerjeve të tifozëve të Buduqnostit ndaj shqiptarëve.

Deçiqi të martën ka vlerësuar se paraqitja në finale të Kupës ishte kurorëzim i një edicioni fantastik. Klubi nga Tuzi po ashtu ka zbuluar një fakt interesant.

“Ndeshja finale e Kupës së Malit të Zi ishte kurora e një sezoni fantastik të skuadrës e cila me meritë të plotë renditet në vendin e tretë në edicionin e parë kthyes në kategorinë superiore. U kualifikuam për Ligën e Konferencës së UEFA-s dhe në finale të Kupës së Malit të Zi. Jemi i vetmi klub në Evropë që është ngjitur prej kategorisë së dytë në kategorinë superiore dhe që ka arritur në kupat e UEFA-s. Përfundojmë këtë sezon që do të shkruhet në historinë e KF Deçiqit si më i suksesshmi, me shpresë se tjetri sezon do të jetë edhe më i suksesshëm”, thuhet në një postim të Deçiqit në faqen zyrtare të klubit në “facebook”.

Natyrisht në postim vend ka zënë edhe episodi në finale. Deçiqi i ka vlerësuar fyerjet si “shoviniste”.

“Gjatë këtij shtegtimi, ishim të vetëdijshëm se do të përballemi me sfida dhe vështirësi të natyrave të ndryshme, sikur që ishin thirrjet shoviniste në ndeshjen e finales nga ana e grupit të tifozëve. I dënojmë ashpër ato dhe ftojmë organet kompetente të ndërmarrin masa. Vlerat tona do t’i promovojmë me punë, me lojë dhe me sjellje dinjitoze. Ne do të vazhdojmë rrugën drejt lavdisë”, ka shkruar Deçiqi.

Ka pasur shumë reagime të hënën lidhur me fyerjet ndaj shqiptarëve në finale të Kupës. Kanë reaguar drejtues të shtetit të Malit të Zi, ndërsa më të zëshmit ishin politikanët shqiptarë nga ky vend.

Deçiqi tashmë po jep edhe lojtarë për përfaqësuesen e Malit të Zi.