Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Debutimet legjendare në Kupën e Botës

Kupa e Botës “Katari 2022” do të jetë e para që asnjë përfaqësuese nuk është kualifikuar për herë të parë. Kështu nikoqiri, Katari, është debutuesi i vetëm. Gjatë 92 vjetëve histori të Kupës së Botës ishin disa kampanja të jashtëzakonshme debutuese.

Sajti zyrtar i FIFA-s ka përzgjedhur disa prej tyre.

Gëzimi qiellor në “Centenario”

Edicioni i parë i Kupës së Botës ka përfshirë 13 përfaqësuese nga tri kontinente. Pasi ishte Botërori i parë, të gjitha përfaqësueset ishin debutuese. Ishte nikoqiri, Uruguai, që ka krijuar histori duke mposhtur rivalen e viteve 1920, Argjentinën, për të konfirmuar statusin e tij si forcë dominante në futbollin botëror. Uruguai më herët kishte fituar të artën në Lojërat Olimpike të vitit 1924 dhe 1928.

Në njëqindvjetorin e tyre të pavarësisë, uruguainët kishin edhe më shumë arsye për të festuar. Ata përmbysën rezultatin për të fituar 4:2 ndaj Argjentinës në stadiumin “Centenario” në Montevideo. Ky stadium ishte kryevepër arkitekturore dhe u ndërtua posaçërisht për Botërorin e parë të mbajtur në vitin 1930.

Edhe FIFA paraqet dhjetë përfaqësueset që synojnë të kthehen në skenën më të madhe Botërori 2026 1 d. më parë FIFA paraqet dhjetë përfaqësueset që synojnë të kthehen në skenën më të madhe

Hakmarrja algjeriane, krenaria dhe turpi i Gijonit

Si të riktheheni nga humbja e një finaleje kontinentale? Në mënyrën algjeriane.

Pasi humbën finalen e Kupës së Afrikës nga Nigeria në vitin 1980, Luftëtarët e Shkretëtirës u kualifikuan për Kupën e Botës të mbajtur në Spanjë në vitin 1982. Kualifikimin e bën në llogari të Nigerisë, por nuk u ndalën me kaq. Algjeria bëri paraqitjen më të mirë për një përfaqësuese afrikane deri atëherë.

Mbetet e jashtëzakonshme se si algjerianët, që nuk llogariteshin fare, përulën kampionen në fuqi të Evropës, Gjermaninë Perëndimore. Kaluan pastaj Kilin, për të mbetur jashtë Botërorit pas ndeshjes që prej atëherë njihet si “Turpi i Gijonit”.

Fuqia e “Los Ticos”

Për një vend me tre milionë banorë si Kostarika, kualifikimi në Kupën e Botës ishte ëndërr e realizuar. Por të shkojë në garën më të madhe dhe të garojë me ekipe me histori dhe traditë në futboll si Brazili, Skocia, Suedia dhe Çekosllovakia ishte përtej çdo imagjinate që kishin kostarikasit në vitin 1990.

Pasi kishin parë fqinjët si Kuba, Haiti, Hondurasi dhe El Salvadori duke garuar në edicionet e mëhershme të Kupës së Botës, “Los Ticos” ishin të uritur për të shkruar histori. Roger Flores, Juan Cayasso dhe bashkëlojtarët e tyre shkruan emrat e tyre me ngjyrë ari në librat e historisë së Kostarikës.

Shqiponjat fluturuan lart në SHBA

Një prej përfaqësueseve kryesore afrikane për dy dekada rresht, Nigeria, më në fund arriti në Kupën e Botës në vitin 1994, vit kur e fitoi Kupën e Afrikës për herë të dytë. Kishte shumë arsye për festë për nigerianët në Botërorin në SHBA.

Nigerianët shënuan gola, vallëzuan dhe luajtën futboll fantastik me buzëqeshje të veçantë në fytyrat e tyre. Nigeria fitoi ndaj Bullgarisë dhe Greqisë, ndërsa ishte në epërsi ndaj Argjentinës dhe Italisë.

Daniel Amokachi, Rashidi Yekini dhe Finidi George u bënë emra të famshëm. Ata dhe nigerianët e tjerë kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive të tifozëve të Kupës së Botës.

Edhe Tregimet e pabesueshme të finaleve të Kupës së Botës Botërori 2026 1 j. më parë Tregimet e pabesueshme të finaleve të Kupës së Botës

Gola dhe lavdi për arabët

Ndonëse kishte dy tituj të Azisë deri atëherë, Arabia Saudite ishte pothuajse e panjohur jashtë kontinentit kur arriti në SHBA në vitin 1994. Gati tri dekada më vonë, secili tifoz që ka përcjellë atë Botëror e mban mend paraqitjen e Arabisë Saudite dhe veçanërisht të Saeed Al Owairan. Së bashku me Romarion dhe Roberto Baggion, ai ishte prej emrave më të njohur të atij Botërori.

Nuk ishte vetëm goli ikonik i Al Owairan kundër Belgjikës, por edhe paraqitjet heroike kundër Holandës dhe Suedisë, si dhe një fitore ndaj Marokut. Kështu debutimi në Botëror ishte shumë i suksesshëm për Arabinë Saudite. Arritja në raundin nokaut është dëshmi për këtë.

“Lindja” e një vendi futbolli

Kroacia lindi nga shkatërrimi i Jugosllavisë dhe ishte e vendosur që të bëjë emër në skenën botërore. Natyrisht futbolli ishte një prej tregimeve më të suksesshme të kroatëve në vitet e para të ekzistimit si shtet i pavarur.

Çerekfinalja në Euro 1996 u vazhdua në Botërorin “Franca 1998” ku Davor Shuker, Zvonimir Boban dhe Robert Jarni u bënë legjenda të lojës. Ata fituan medaljen e bronztë me Kroacinë, duke mposhtur përfaqësuese si Gjermania dhe Holanda.

Mrekullia e Senegalit

Tetë vjet pas sukseseve të Nigerisë, e gjithë Afrika po e përkrahte Senegalin, përfaqësuesen që po debutonte në Kupën e Botës. Senegali hyri me zhurmë në Botëror, duke mposhtur kampionen në fuqi, Francën.

Emrat e trajnerit francez, Bruno Metsu, tashmë i ndjerë, dhe mesfushorit Papa Bouba Diop, do të mbahen mend gjithnjë si mrekullibërësit e “The Lions of Teranga” që marshuan deri në çerekfinale në Kore të Jugut dhe Japoni në vitin 2002. Është rezultati më i mirë i një përfaqësueseje afrikane deri më tani.

“Yjet e Zi” bashkohen në festë

U deshën 43 vjet pas triumfit të parë në Kupën e Afrikës dhe 24 vjet pas triumfit të katërt, që Gana të arrinte më në fund në Kupën e Botës. Por ishte debutim me stil në Botërorin 2006.

Edhe Sukses historik i përfaqësueseve afrikane, nga dy në nëntë Botërori 2026 3 j. më parë Sukses historik i përfaqësueseve afrikane, nga dy në nëntë

“Yjet e Zi” u përballën me guxim me Italinë, Çekinë dhe SHBA-në.

Asamoah Gyan, Sulley Muntari dhe të tjerët arritën në 1/8 e finales dhe dhanë çdo gjë ndaj Brazilit të udhëhequr nga lojtarë si Ronaldo, Ronaldinho, Kaka dhe Roberto Carlos.