Sport

De la Fuente ka synime të mëdha me Spanjën

Luis de La Fuente

Luis de la Fuente është prezantuar të hënën si trajner i ri i Përfaqësueses së Spanjës. De la Fuente në këtë post ka zëvendësuar Luis Enriquen, i cili u largua pas eliminimit të Spanjës në Kupën e Botës “Katari 2022”.

Spanja i dha fund aventurës në Katar në 1/8 e finales, pasi u mposht nga Maroku me penallti. Pak ditë pas eliminimit, Enrique u largua dhe mënjeherë u emërua De la Fuente.

Në konferencën e tij të parë për shtyp, trajneri i ri ka thënë se ka synime të mëdha me ekipin e Spanjës. Ai ka thënë se dëshiron ta kthejë shpirtin e vitit 2010 në ekip, vit ky në të cilin Spanja u pat shpallur kampione e Botës. “Jam optimist dhe besoj në lojtarët e Spanjës. Unë nuk dua që ata të jenë vetëm të përkushtuar ndaj fanellës, por dua ta rikthej shpirtin e vitit 2010. Ky është synimi im dhe besoj se së bashku me lojtarët do t’ia dalim mbanë”, është shprehur De la Fuente, i cili shtoi se llogarit ende në mesfushorin Sergio Busquets, që sipas tij ka vendosur që ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare.