Ish-mesfushori i Spanjës, David Silva është tërhequr nga futbolli aktiv. Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës. Vendimi i Silvas pak ditë pas Real Sociedadi njoftoi se kishte lënduar ligamentet e gjurit dhe atij do ti duheshin të paktën gjashtë muaj për t’u rikuperuar. Silva ka thënë se është një ditë shumë e vështirë për të, por ka shtuar se ishte i detyruar për një veprim të tillë.
37-vjeçari ka qenë pjesë e Sociedadit prej vitit 2020 ndërsa muaj më parë e kishte rinovuar kontratën deri në vitin 2024. Ai ka një karrierë të pasur në futboll, ku ka luajtur për Manchester Cityn, Valencian, Celta Vigon e Eibarin. Megjithatë, sukseset më të mëdhë në nivel klubesh, Silva i ka arritur me fanellën e Cityt. Ai për ekipin anglez ka luajtur një dekadë, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka fituar 14 trofe, përfshirë 4 tituj kampioni të Anglisë.
Po ashtu, atij sukseset nuk i kanë munguar as me Sociedadin e Valencian. Ndërkohë, me Spanjën, Silva është shpallur një herë kampion bote dhe dy herë i Evropës. Ai për Spanjën ka luajtur prej vitit 2006 deri në vitin 2018, duke regjistruar 125 paraqitje dhe shënuar 35 gola.